Telegrafi

Nagavci: Thaçi duhet të jep përgjegjësi për Marrëveshjet e nënshkruara, jo ta udhëheqë sërish procesin e dialogut

Arbërie Nagavci nga lëvizja Vetëvendosje pas takimit të partive politike, duke iu referuar presidentit Hashim Thaçi tha se një person që ka nënshkruar marrëveshje me Serbinë duke shkelur Kushtetutën e vendit do të duhej të jepte përgjegjësi e jo të ngarkohej me detyra të reja.

Nagavci tha se tryezat e tilla të partive politike vetëm po i “shkojnë për shtati” qeverisë aktuale që sipas saj ka mungesë të legjitimitetit.

Ajo tha se Vetëvendosje kërkon zgjedhje të reja, pasi duhet të qeverisë një qeveri që ka legjitimitet dhe shumicë.

“Dua të bëj të ditur se Vetëvendosje në asnjë moment nuk është frikësuar nga dialogu me Serbinë dhe  kemi besim të plotë në SHBA-të dhe BE-në, por ne frikësohemi nga Hashim Thaçi dhe nga këto qeveri që tashmë kanë treguar sa të dëmshme janë për vendin dhe sa larg mund të shkojnë në nënshkrimin e marrëveshjeve që e cenojnë vendin”, tha Nagavci.

Ajo kujtoi marrëveshjen e prillit të vitit 2013 të nënshkruar nga Hashim Thaçi, e që sipas saj ka shkelur 23 nene të Kushtetutës.

“Një person që ka nënshkruar marrëveshje që ka shkelur Kushtetutën do të duhej të mbante përgjegjësi e jo të ngarkohej me detyra të reja, në fakt të vet ngarkohej me detyra të reja”, tha Nagavci. /Telegrafi/