Telegrafi

Nagavci: Skema e kuponëve në edukimin e hershëm do t’u ndihmojë familjeve në nevojë

Ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci, në lansimin e skemës së kuponëve në kuadër të projektit “Mbështetje për pjesëmarrjen e fëmijëve të cenueshëm në shërbimet e kujdesit dhe fëmijërisë së hershme”, ka thënë se skema do t’u dalë në ndihmë familjeve që janë pjesë e skemës së asistencës sociale.

Nagavci, ka thënë se projekti për edukimin e hershëm të fëmijëve, ndihmon në zhvillimin e tyre në të ardhmen por ndihmon edhe familjet, prindërit dhe shoqërinë në zhvillimin e saj.

Ajo, ka theksuar se janë 4 mijë e 469 fëmijë të moshës 3-5 vjeç nga familjet që marrin ndihmë sociale dhe 104 prej tyre ndjekin arsimin parashkollorë publik, ndërsa nga mosha 0-3 vjeç nga 4 mijë e 788 vetëm 31 fëmijë vijojnë institucionet në edukimin e fëmijërisë së hershme.

“Prek drejtpërdrejtë jo vetëm fëmijët dhe i ndihmon ata në zhvillimin e tyre në të ardhmen por edhe familjet, prindërit dhe shoqërinë në zhvillimin e saj…Një mbështetje për familjet që më së shumti kanë nevojë, familjet që janë pjesë e skemës së asistencës sociale.

Në bazë të statistikave janë 4 mijë e 469 fëmijë të moshës 3-5 vjet nga familje që marrin ndihmë sociale në kuadër të skemës së ndihmës sociale dhe 104 prej tyre ndjekin arsimin parashkollorë publik. Nga 4 mijë e 788 të moshës 0 deri në 3 vjeç vetëm 31 fëmijë nga mosha 1 deri 3 vjet vijojnë institucionet në edukimin e fëmijërisë së hershme”, ka thënë Nagavci.

Ndërsa, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Massimiliano

Paolucci, ka shtuar se këta kupona do t’i ndihmojnë familjeve të kenë qasje në shërbimet e kujdesit për fëmijët.

“Programi i kuponëve që po prezantojmë sot është një komponent integral i një projekti më të madh që është projekti i edukimit dhe kujdesit të fëmijërisë së hershme për kapitalin njerëzor të Kosovës. Do të thotë përderisa marrëveshja e projektit ende pret ratifikimin parlamentar, ne i bëjmë thirrje deputetëve që ta miratojnë atë sa më shpejt, duke pasur parasysh rëndësinë e tij kritike për mirëqenien e tanishme dhe të ardhshme të fëmijëve dhe familjeve të Kosovës.

E rëndësishmja, këto kupona do t’i ndihmojnë familjet të kenë qasje në shërbimet e kujdesit për fëmijët, të cilat nga ana e tyre do t’u mundësojnë prindërve dhe veçanërisht nënave, jo vetëm baballarëve, të punojnë dhe të mos ngecin në shtëpi vetëm pse nuk kanë alternativë tjetër”, ka shtuar Paolucci.

Kurse, kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola ka thënë se një investim i tillë ndikon edhe në vet shoqërinë dhe të ardhmen tonë.

“Investimi në këtë fazë të zhvillimit të njeriut është investimi më i madh me mend që mund të bëjë një qeveri… Investimi në këtë fazë nuk është vetëm me ia mundësua një fëmije që të jetë i zoti i vetvetes, por është në fakt investim edhe në vet shoqërinë edhe në të ardhmen tonë”, ka deklaruar Gola.

Ky projekt i edukimit të hershëm të fëmijëve, është në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Financave, Ministrinë e Shëndetësisë dhe UNICEF-in, e cila financohet nga Fondi i Mësimit të Hershëm i Bankës Botërore. /kp/