Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, sot ka folur për gjendjen në të cilën ndodhet sektori i arsimit, për grevën e cila ende është duke vazhduar si dhe Projektligjin për Pagat i cili ka dal sot në konsultim publik.
Nagavci gjatë fjalës së saj në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se me përfaqësuesit e SBASHK-ut i kanë pasur me dhjetëra takime si dhe kanë dëgjuar me vëmendje kërkesat e tyre, të cilat ajo i quan të drejta.
”Dialogu s’ka munguar asnjëherë me kryesinë e SBASHK-ut për të adresuar të gjitha kërkesat e drejta të tyre. Vlerësoni se si vështirësohet situata, si rezultat i vazhdimit të grevës. Rezultatet në arsim nuk janë ato që dëshirojmë…”, ka thënë ajo.
Ministrja po ashtu tha se në Projektligjin për Pagat, sektorin e arsimit e kanë trajtuar me kujdes të veçantë.
“Përveç që kemi rritur për 12 për qind buxhetin në arsim, me Projektligjin e ri i cili sot ka dal për konsultim publik, kategoritë në arsim janë trajtuar me një kujdes të veçantë. Këtë projektligje e kemi ndarë me përfaqësuesit e SBASHK-ut, edhe pse nuk e kemi pasur si obligim ligjorë”, tha ajo duke shtuar se deri më tani nuk kanë marr ndonjë koment nga përfaqësuesit e SBASHK-ut për këtë projektligj.
“Fatkeqësisht deri më sot asnjë koment për Projektligjin për paga. Ftoj anëtarësinë SBASHK-ut që të reflektojnë dhe të marrim përgjegjësit që u takojnë. I ftoj publikisht që paralelisht me angazhimin për dialog të mos hezitojnë të japin mësim për fëmijët”, tha ndër të tjera Nagavci. /Telegrafi/