Telegrafi

Nagavci: Reagimet e kryeministrit Haradinaj dhe ministrit Bytyqi ndaj vendimit të KSHC, sa skandaloze, po aq edhe shqetësuese

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci, ka vlerësuar se reagimet e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ndaj vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë, janë sa skandaloze, aq edhe shqetësuese.

Madje, sipas deputetes Nagavci, janë kërcënim serioz, jo vetëm për anëtarët e KSHC-së, por për zhvillimet në arsim, për cilësinë dhe të ardhmen e të rinjve e fëmijëve tanë.

Lexo po ashtu Haradinaj reagon për mos akreditimin e tri universiteteve: Do të veprojmë menjëherë

Në këtë drejtim, siç ka shkruar Nagavci në Facebook, në rrethana normale, sot me urgjencë do të duhej ftuar menaxhmentin, rektorët e prorektorët, bashkë me anëtarët e Këshillave Drejtuese të Universiteteve publike, t’i mbanin ata përgjegjës për situatën e krijuar dhe për arsyet që sollën deri te Vendimi për mosakreditimin e tri universiteteve publike.

“Në rrethana normale, menaxhmenti i një universiteti publik që nuk akreditohet do të jepnin llogari dhe dorëheqje. Te ne kjo nuk ndodhë, sepse s’kemi staf profesional e me integritet në udhëheqje të universiteteve. As Qeveria Haradinaj s’ka guxim e mundësi të bëjë një gjë të tillë, sepse shumica dërmuese e stafit udhëheqës të universiteteve publike janë persona politik, të emëruar në mënyrë klienteliste e jo rrallëherë me shkelje”, ka shkruar Nagavci.

Lexo po ashtu Bytyqi: Vendimet për mos akreditim të universiteteve presim të adresohen në Qeveri

Ajo ka shkruar edhe se “si në çdo sektor tjetër, ndërhyrjet brutale të qeverisë nuk pushojnë. S’njohin pavarësi institucionale e as profesionalizëm, secili vendim është klientelist, nepotist e partiak, është një garë për punësim militantësh në vendet më të rëndësishme udhëheqëse”.

Andaj, vlerëson ajo, edhe përgjegjësia duhet kërkuar tek qeverisjet që sollën arsimin në këtë gjendje.

“Tashmë me dekada është ndërhyrë në sistemin e arsimit, në dëm të cilësisë e në regres të shoqërisë, kjo duhet të marrë fund. Kjo qeveri duhet të largohet sa më parë, secila ditë më shumë më keq për vendin, më problem për të ardhmen”, ka përfunduar deputetja Nagavci. /Telegrafi/