Site icon Telegrafi

Nagavci preferon që mësimi të mbahet me prani fizike në shkolla

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka thënë se për cilësi më të mirë mësimi duhet të zhvillohet me prezencë fizike në shkolla.

“Në mënyrë që të kemi cilësi më të mirë, institucionet shkollore duhet të mbesin të hapura e mësimi të zhvillohet me prezencë fizike dhe kjo kërkon punë e përgjegjësi nga të gjithë ne”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Nagavci ka kujtuar se mësimi do të vazhdojë të zhvillohet sipas Udhëzuesit i cili parasheh 4 skenarë.

“Nëse në ndonjë prej shkollave ka rritje të rasteve pozitive me Covid-19, procesi mësimor do të vazhdohet sipas skenarëve, përfshirë mësimin nga distanca, apo me numër të kufizuar të nxënësve, varësisht se si përcaktohet nga Task Forcat në nivel komune”.

Video-mësimet po ashtu do të transmetohen në televizionin publik (kanali RTK4), dhe mund të gjenden edhe në kanalin zyrtar të MAShTI.

“Ju ftoj për kujdes të shtuar e respektim të masave mbrojtëse në mënyrë që ta ruajmë shëndetin publik e të kemi mbarëvajtje të procesit mësimor”, ka shkruar ndër të tjera Nagavci.

Më parë gjatë ditës Nagavci në një prononcim për Telegrafin ka folur për skenarët e rikthimit të nxënësve në shkolla./Telegrafi/

Exit mobile version