Telegrafi

​Nagavci në Ditën e Librit: T’i nxisim gjeneratat e reja për lexim

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, në Ditën Botërore të Librit, u ka bërë thirrje mësimdhënësve, prindërve dhe të gjithë komunitetit që të shtojnë përpjekjet që të nxisin gjeneratat e reja për lexim.

Siç ka thënë ajo, libri mbetet një nga mundësitë më të mira për zhvillim arsimor e kulturor.

“Mësimdhënësit, bashkë me prindërit dhe gjithë komunitetin, duhet të shtojnë përpjekjet që të nxisin gjeneratat e reja për lexim, jo vetëm të librave shkollor. Libri, si një nga mjetet më të vjetra të komunikimit, mbetet një nga mundësitë më të mira për zhvillim arsimor e kulturor, por edhe për kënaqësi shpirtërore”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Mes tjerash, ajo ka thënë se historia e shqiptarëve në raport me librin është e dhimbshme, pasi kanë pasur mungesë të tyre, por edhe libra të ndaluar.

“Dita Botërore e Librit rikthen kujtimet tona në periudha të vështira, kur kishim mungesë të librave, numër të vogël të librave të përkthyer, por edhe libra të ndaluar. Kjo është historia e dhimbshme e shqiptarëve në raport me librin”.

“Por, kjo ditë, po ashtu, na i sjellë në mend shkrimtarët e mëdhenj të kohërave që i dhanë ngjyra jetës dhe kurajo botës përmes letërsisë për të luftuar të keqen, duke nxitur edhe zhvillimin e njerëzimit dhe përpjekjet për një botë më të mirë”, ka shtuar Nagavci./Telegrafi/