Nesër fillon greva e përgjithshme e sektorit publik të arsimit. Sindikalistët nuk arritën të merren vesh me zyrtarë të institucioneve për ta anuluar grevën e paralajmëruar ditë më parë. Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) Arbërie Nagavci, ka ftuar mësimdhënësit që të fillojnë procesin më 1 shtator dhe si thotë ajo, mos ti nënshtrohen presionit të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
Ministrja Nagavci në një intervistë për RTK, fillimisht, tha se MASHT-i me kohë ka përfunduar përgatitjet rreth fillimit të vitit të ri shkollor. Sipas saj, me një shtator nxënësit do të pajisen me librat shkollor dhe këtë vit nxënësit fillojnë me Abetaren e re të përbashkët, Kosovë Shqipëri.
Ministrja e Nagavci edhe njëherë ka ftuar mësimdhënësit që të fillojnë procesin mësimor më 1 shtator. Sipas saj, mësimdhënësit janë trajtuar mirë më ligjin e ri për paga, i cili pritet të miratohet. Mësimdhënësit. sipas saj, janë trajtuar më mirë se nga qeveritë paraprake, njëherë fton SBASHK-un që të heq dorë nga “interesat të ngushta”.
“Si ministri jemi të angazhuar të tejkalojmë disa probleme që kanë qenë prezentë në të kaluare. Kjo qeveri ka ndërmarr shumë hapa të rëndësishëm në tejkalimin e vështirësive të mësimdhënësve”, tha Nagavci.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm me mjetet e buxhetit. Mos të vazhdohet me avazin e vjetër për greva, besoj se as mësimdhënësit nuk pajtohen me kërcënimin për grevë”, tha ajo.
Sipas saj, Qeveria e Republikës së Kosovës po ballafaqohet me pasojat e veprimeve të qeverive të mëparme, por nuk do të lejohet as zhvatjen e buxhetit të shtetit e asgjë tjetër, që bie ndesh me ligjin.
Ministrja Arbërie Nagavci, reagoi edhe lidhur me padinë që rreth 26 komuna të vendit kanë dorëzuar ndaj ministrisë së Arsimit dhe asaj të Shëndetësisë. Padia ka të bëjë për shkak të dëmit që i janë shkaktuar nga zbatimi i kontratës kolektive në sektorin e arsimit.
Ajo tha se, prej vitit 2014 janë nënshkruar tri kontrata kolektive mes MASHTI dhe SBASHK, mirëpo, sipas saj, asnjëra prej tyre nuk është nënshkruar nga qeveria e tanishme.
“Prej vitit 2014 janë nënshkruar tri kontrata kolektive në mes të MASHTI dhe SBASHK, të tria në prag të procesit zgjedhor dhe asnjëra prej tyre nga qeverisja e LVV. Për asnjërën nga këto kontrata kolektive nuk është bërë vlerësimi i ndikimit financiar dhe asnjëra prej tyre nuk është regjistruar në Ministrinë e Punës, siç parasheh legjislacioni në fuqi”, ka thënë pos tjerash Nagavci.