Telegrafi

Nagavci: Kosova shënoi rritjen më të madhe nga programi Erasmus Plus

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka deklaruar se Kosova për herë të parë shënon rritjen më të madhe nga programi Erasmus Plus ku për këtë vit tha se kanë fituar 21 projekte.

Këto Nagavci i tha gjatë një konference për medie ku u prezantuan edhe rezultatet e projekteve për ngritje të kapaciteteve në arsimin e lartë dhe në arsimin profesional (për thirrjen e vitit 2022), si dhe projektet nga Kosova që janë përzgjedhur për financim nga Komisioni Evropian.

Nagavci u shpreh po ashtu se sukseset e Kosovës në programet e BE-së janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e arsimit të lartë me qëllim të përmirësimit të rezultateve ku ofrojnë mundësi për ngritje të kapaciteteve për arsim të lartë, modernizim dhe ndërkombëtarizim të arsimit të lartë në Kosovë.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se programi Erasmus Plus është programi më i madh dhe më i suksesshëm i BE-së.

Ai tha se nga programi kanë përfituar miliona studentë përfshirë edhe ata nga Kosova.

Sipas ambasadorit të BE-së në Kosovës studentët e përfshirë në Erasmus+ janë kthyer në Kosovë me një perspektivë të freskët për të kontribuar në zhvillim social.