Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka reaguar për të dytën herë lidhur me grevën në arsim, duke e quajtur shantazhuese kryesinë e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Kulturës.
Teksa ka marrë disa shembuj të greva në arsim në vendet e tjera si Maqedoni, Bullgari e Norvegji, Nagavci ka thënë se në shumicën e rasteve tjera, grevat zgjasin disa orë ose një ditë.
Por, në Kosovë sipas saj po ndodh ndryshe pasi qëllimi i SBASHK-ut nuk ka të bëjë me realizimin e kërkesave sindikale.
“Sepse, qëllimi është vendosja e kërkesave të tyre në agjendë dhe trajtimi i tyre sistematik nga vendim-marrësit, e jo të gjitha dhe menjëherë. Dhe, sidomos jo dëmtimi i nxënësve”, ka shkruar ministrja në Facebook.
Tutje, Nagavci ka komentuar edhe grevat e mëhershme dhe ndërprerjen e tyre, duke thënë se “për dallim nga e kaluara kur grevat i kanë ndërprerë vetëm me oferta, kësaj radhe kanë vendosur të injorojnë jo vetëm ofertat shumëfish më të mira, por edhe veprimet tashmë të ndërmarra që i afrohen shumë kërkesës së tyre”.
“Ndërkohë, veprimet e Qeverisë Kurti jo vetëm që janë duke i arritur, por duke i tejkaluar kërkesat e SBASHK. Një pjesë menjëherë, një pjesë me reforma sistematike”, ka shkruar ajo.
“I kemi ndarë nga 50 euro në muaj (të pataksueshme) për të gjithë të punësuarit e sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, nga shtatori deri në fund të këtij viti. Jemi në hapat e fundit të dorëzimit në Kuvend të Projektligjit për paga, i cili do të rezultojë me rritje të përgjithshme të pagave të mësimdhënësve, shumë përtej kërkesës së SBASHK-ut. Pa përmendur të gjitha proceset e përmirësimit të legjislacionit dhe mekanizmave për rritje të cilësisë së arsimit, e të cilat jemi duke i ndërmarrë me shumë zell”.
“Të gjitha këto SBASHKU i di, sepse ua kemi komunikuar në vazhdimësi. Projekt-ligjin për paga e kemi ndarë për konsultim me ta ende pa dalë në konsultim publik, përtej obligimeve ligjore që i kemi. Kërkesën e parë për takim pas nisjes së grevës e kemi bërë ne, ani që kërkesat janë të tyre. Planin afatgjatë për përmirësim të cilësisë së arsimit ua kemi komunikuar ne, sepse asnjëherë nuk ka pasur ndonjë kërkesë prej tyre”.
“Por, kanë vendosur t’i injorojnë. Arsyen e vërtetë e dinë vetëm udhëheqësit e SBASHK-ut, por përfundimisht kjo arsye nuk ka të bëjë me realizimin e kërkesave sindikale. Përkundër kësaj, Qeveria dhe MASHTI do të vazhdojë ta bëjë punën që e ka në mandat për ta përmirësuar cilësinë e arsimit në Kosovë”.
Në fund, ajo u ka bërë thirrje sërish mësimdhënësve që të vazhdojnë procesin mësimor sa më parë, duke reflektuar mbi gjitha veprimet e deritashme të Qeverisë e duke i dhënë mundësi reformave tjera gjithëpërfshirëse që siç ka thënë, janë në proces e do të përfundojnë së shpejti. /Telegrafi/