Pronarët e pikave të karburanteve po refuzojnë fiskalizimin, pasi që, sipas tyre, Qeveria e Kosovës ende nuk e ka hapur tregun e arkave fiskale edhe pse në Udhëzimin Administrativ parashihet një gjë e tillë. Së fundmi në tregun e arkave fiskale është futur kompania “Enternet”, e cila është pjesë e kompanisë “Gekos”.
Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve, ka thënë për gazetën “Zëri” se me hyrjen në treg të kompanisë “Enternet” nuk është hapur tregu i arkave fiskale pasi që kjo është kompania e njëjtë, e cila, sipas tij, mbulon rreth 80 për qind të tregut. “Ne naftëtarët jemi të fiskalizuar qysh nga viti 2010 dhe asnjëherë nuk kemi qenë kundër rifiskalizimit. Deri më tani akoma nuk kemi hapje të tregut për sistem fiskal, që i dedikohet pikave të karburantit”.
“Kjo kompani e re është po e njëjta e cila e ka pasur tregun mbi 80%. Kjo kompani, e cila është pjesë e kompanisë ‘Gekos’, ka arritur që t’i ndryshojë çmimet e arkave fiskale. Me ngritjen e zërit të Shoqatës së Naftëtarëve çmimi u ul deri në 50%, po tregu nuk u hap, nuk ka liberalizim, nuk ka konkurrencë”, ka thënë ai.
Sipas tij, rifiskalizimi i pikave të karburantit nuk mund të shkojë në pafundësi, por që, sipas tij, Ministria e Financave duhet edhe një herë ta rishikojë Udhëzimin Administrativ që t’u jepet mundësia disa operatorëve të hyjnë në treg, si dhe çmimi të jetë si në rajon. /Zëri/Telegrafi/