Site icon Telegrafi

Naftëtarët kërkojnë uljen e çmimit të kalibrimit nga 26 euro në 10 euro

Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Avdullah Hoti dhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi që të anulohen udhëzimet administrative për naftëtarët, pasi ato sipas tyre janë diskriminuese.

Kryetari i shoqatës Fadil Berjani thotë se Udhëzimi Administrativ për Shërbimet në Meteorologji, është diskriminues, sepse çmimi i kalibrimit për një pikë rrjedhëse/pishtole ka qenë 10 euro, ndërsa me udhëzimin e ri është bërë 26 euro.

Berjani thekson se këtë çmim nuk do ta pranojnë naftëtarët, pasi si i tillë është enorm i shtrenjtë ku një pikë karburanti mund të kushton kalibrim deri 900 euro.

“Udhëzimi Administrativ nr.06/2019 për pastrimin e rezervuarëve është diskriminues dhe është bërë për interesa personale klanore, ku parashihet pastrimi i rezervuarëve çdo tri vjet, ku çmimi për të pastruar një rezervuar është mbi 600 euro, ku pikat e karburantit në Kosovë i kanë përafërsisht 4000 rezervuarë, ndërsa ky udhëzim është në kundërshtim me të gjitha standardet e BE-së. Në BE pastrimi i rezervuarëve bëhet prej 10 deri 15 vjet”, tha Berjani.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se shoqata do të kërkojnë takim edhe me kryeministrin Hoti për rregullimin e sektorit të naftës ku ky sektor është kontribuues më i madh i arkës së shtetit. /KP/

Exit mobile version