Telegrafi

Naftëtarët e përçarë, rreth rifiskalizimit, HiB Petrol largohet nga shoqata

Edhe pas uljes së çmimeve për arkat e veçanta fiskale, disa kompani te naftës po e kundërshtojnë këtë proces.

Një pjesë e anëtarëve të shoqatës së Derivateve të Naftës, në Kuvendin e tyre të jashtëzakonshëm , bënë me dije se çmimet për ri fiskalizim janë të papërballueshme për ta.

Grupi në fjalë thanë se kanë kërkuar nga Ministria e Financave, që të bëjë licencimin e operatorëve
të rinj, me qëllim që të vie deri tek zgjidhja e problemit. Por disa kompani që veç janë të fiskalizuara kundërshtuan kryetarin e Shoqatës së Naftarëve duke thënë se kjo situatë po krijon pabarazi në treg pasi nje pjesë e tyre janë fiskalizuar ndërkaq një pjesë tjetër jo. .

Fadil Berjani, kryetar i Shoqatës së naftëtarëve, tha se ata asnjëherë nuk kanë qenë kundër ri-fiskalizimit, por, jo me çmimin e ofruar nga operatori. Ndërsa, apelon që operatorët e rinj të licencohen sa më shpejtë dhe në mënyrë festive ata do t’i pranojnë arkat fiskale të ofruara nga ata.

“Pikat e karburanteve i kanë arkat fiskale, por janë dhe për ri fiskalizimin e dytë. Ne do ta ngrisim prapë zërin. Jemi për rifiskalizimin. Duhet tu ipet hapësirë. I bëjë apel Ministrisë së Financave, i bëjnë apel kanë aplikuar dy kompani, që ato kompani sa më shpejtë të licencohen. Iu garantoj dhe mendoj se çmimi do të jetë qind për qind ende më i lirë. Ne do të punojmë bashkërisht, shkelje ligjore nuk do të pranojmë. I bëjë apel ATK-së në emër tuaj dhe timin personal, që mos t’i shqiptoj gjobat. Bëj apel zyrtarëve të ATK-së, që të mos dalin me zëra të ndryshëm, kur thonë se nëse nuk i marrin arkat fiskale do t’ia marrim numrin fiskal ose të TVSH-së”, tha ai.

Në këtë mbledhje nga kjo shoqatë dha dorëheqje kompania Hib Petrol , drejtuesit e të cilës thanë se shoqata po i dëmton bizneset, që janë pajisur me arka duke i mbrojtur ato që nuk duan të pajisen. Besnik Sadiku nga “Hib Petrol”, foli për qëndrimin që “Hib Petrrçol”, ka lidhur me veprimtarinë e Shoqatës së Naftëtarëve, e cila sipas tyre viteve të fundit, në vend që të jetë lokomotivë e zhvillimit të anëtarëve të saj, është shndërruar në një frenuese, duke u bërë monopol i një numri njerëzish, që për synim kryesor nuk e kanë zhvillimin e shoqatës dhe anëtarëve të saj, por përfitimet personale të disa individëve, që janë në krye të kësaj shoqate.

Sipas qëndrimit të “Hib Petrol”, imazhi i shoqatës së naftëtarëve është dëmtuar dukshëm, për shkak se ajo është marrë pothuajse për dy vite, vetëm me çështjen e fiskalizimit dhe rezistencën ndaj këtij procesi, duke anashkaluar shumë çështje tjera të rëndësishme që e preokupojnë pothuajse çdo biznes. Rezistenca që i është bërë fiskalizimit nga kjo shoqatë, duke sfiduar dhe instancat më të larta qeveritare, përmes deklarimeve në media, sipas qëndrimit të “Hib Petrol”, ka kaluar kufijtë e një sjellje normale, sidomos pas një periudhe kur është evidente se ka kushte më të mira për fiskalizimin e pikave të karburanteve, se sa ka qenë para dy viteve, atëherë dhe kur ka filluar ky proces, së paku sa i përket çmimit që është më i ulët se më parë.

Ndërsa në mbledhje nuk u la të marrë pjesë fare përfaqësuesi i Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për arka fiskale, Kestrin Kumnova, me arsyetimin se ai nuk është i ftuar në këtë takim.

Ndërsa, Kumnova, të cilit iu pamundësua pjesëmarrja në takim, tha se çmimet më nuk janë problem, pasi që tani për dy dispanzerë çmimi është 3900 euro. Ai tha se ka disa muaj që çmimet kanë ndryshuar dhe se ka ardhur sot të ballafaqohet me përfaqësuesit e shoqatës së naftarëve dhe t’i pyes ata se cilat janë arsyeja që ata nuk po e pranojnë fiskalizimin edhe pas uljes së çmimeve. Ndërsa ai kërkoi që institucionet relevante të merren me këtë grup të vogël të naftëtarëve, të cilët e kundërshtojnë fiskalizimin.

“Por vet fakti që ata na ndaluan hyrjen, tregon se çmimet për ta nuk janë problem. Janë vetëm arsye që ata t’i arrisin qëllimet e tyre, të cilat i kanë dhe të cilat tash për tash, realisht mbeten enigmë. Ende nuk po e kuptojmë se çfarë interesa kanë ata, që nuk po e pranojnë fiskalizimin. Ky është një grup i vogël i naftëtarëve, që nuk e pranon fiskalizimin dhe institucionet duhet të merren me këtë grup, se pse po e kundërshtojnë kaq fuqishëm”, tha Kumnova. /Telegrafi/