Site icon Telegrafi

Nafta rreth 45 dollarë për fuçi

Çmimet e naftës kanë rënë ndjeshëm në sesionin e sotëm, pas rritjes së konsiderueshme një ditë më parë. Tendenca në rënie është shkaktuar nga vendimi i Kinës për të zhvlerësuar monedhën vendase yuanin, pasi një seri të dhënash të dobëta ekonomike, konfirmuan pikëpamjen e tregut se, bazat e ekonomisë janë shumë të dobëta për të garantuar çmime më të larta të naftës.

Në sesionin e kaluar, nafta u rrit me rreth 4 për qind, pasi tregtarët spekulativë rritën pozicionet e tyre afatgjata. Kina zhvlerësoi yuanin me gati 2 për qind, pasi ekonomia po rritet me ritmin më të ngadaltë në disa dekada.

Edhe të dhënat e publikuara ditën e sotme, treguan se shitja e automjeteve në Kinë ra me 7.1 për qind në korrik, krahasuar me një vit më parë, rënia më e madhe në që shkurti i vitit 2013.

Nafta Brent e Londrës ra me rreth 31 cent, në rreth 50.1 dollarë për fuçi, ndërsa nafta Bruto amerikane ra me 39 cent në 44.5 dollarë për fuçi. /Telegrafi/

Exit mobile version