Telegrafi

Nafta, pritet ulja e çmimit edhe në Kosovë

Çmimet e naftës dhe benzinës në tregun e Kosovës me shumicë dhe pakicë nuk kanë ndryshuar që kur çmimet e derivateve të naftës arritën kulmin prej 147 dollarë për barel.

Me pakicë, një litër benzinë në pikat e furnizimit është duke u shitur me një mesatare prej 1.20 euro ndërsa një litër naftë me çmimin prej 1.30 euro.

Pronari i “Kosova Petrol”, Bedri Selmani, tha se tregu nuk mund të ketë reagim të menjëhershëm për shkak se kompanitë në Kosovë gjatë javëve të kaluara janë furnizuar me çmime të shtrenjta, prej 147 dollarë për barel dhe derisa të harxhohen këto rezerva nuk mund të ulet çmimi.

“Pas uljes së çmimeve në 126 dollarë për barel në tregun ndërkombëtar, do të ketë një ulje deri në 7 për qind të çmimeve me shumicë dhe pakicë në Kosovë. Por duhet pritur javën e ardhshme derisa kompanitë ti mbarojnë rezervat, të cilat janë blerë me çmime të larta”,- tha Selmani për Telegrafi.

Sipas tij, çdo gjë në tregun e naftës ende është e paparashikueshme dhe nuk dihet sa do të vazhdojë ulja e çmimit apo ato do të fluturojnë në nivelin e 200 dollarëve për barel, ashtu siç kanë parashikuar kompania dhe ekspertë të ndryshëm.

Çmimet e naftës dhe derivateve të saj filluan të ulen pas njoftimeve për rënien e kërkesës në SHBA dhe pjesë të tjera të botës si dhe presioneve të grupit të vendeve më të industrializuara G7 plus Rusia.

Rritja e këtyre çmimeve në shumicën e rasteve është duke ndodhur për shkak të spekulimeve.

Në kuadër të ndalimit të spekulimeve Senati amerikan ka filluar debatin rreth kufijve të propozuar për tregtinë spekulative të bursës.

Demokratët thonë se spekulime të tilla janë faktori kryesor për rritjen e çmimeve të naftës ,ndërsa Republikanët thonë se nëse i jepet fund kufizimeve që i janë vënë kompanive amerikane për nxjerrjen e naftës në det, kjo do të ndikonte më shumë në rënien e çmimeve.