Site icon Telegrafi

Nafta nën 45 dollarë për fuçi

Çmimet e naftës vazhdojnë në rënie, duke iu afruar kështu minimumit gjashtë vjeçar. Ndërkohë ministri i naftës së Emirateve të Bashkuara Arabe, anëtare e OPEC, deklaroi se grupi nuk do të lëkundet nga vendimi i tij për të mos shkurtuar prodhimin në mënyrë që të rrisë çmimin në treg. Nafta bruto amerikane ra nën nivelin e 45 dollarëve për fuçi, për të parën herë që nga prilli i vitit 2009.

Ndërkohë nafta Brent e Londrës kuotohej me 45.41 dollarë për fuçi. Të dyja kuotimet në bursë të naftës kanë rënë me 60 për qind që prej mesit të muajit qershor të vitit të shkuar.

Kërkesa e dobët globale për naftë si dhe prodhimi i naftës argjilore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë dy faktorët kryesorë që qëndrojnë prapa kësaj rënie dramatike të çmimeve në bursë. Faktori i tretë, i cili i dha goditjen përfundimtare çmimeve ka qenë vendimi i vendeve të OPEC për të mos ndryshuar strategjinë e tyre të prodhimit.

Ministri i naftës të Emirateve të Bashkuara Arabe deklaroi se vendet prodhuese duhet të tregohen të arsyeshme dhe se çmimi pritet të stabilizohet vetëm në një periudhë 2 ose tre vjeçare.

Vendet e OPEC nuk presin aspak një ringritje të çmimeve në terma afat-shkurtër. Ai nga ana tjetër fajësoi tregun e naftës argjilore si shkaktare të mbi ngarkesës në treg, por gjithsesi e cilësoi këtë industri si të domosdoshme për tregun. Analistët ndërkohë shprehen se në Botë padiskutim është duke u zhvilluar një luftë çmimesh./Telegrafi/

Exit mobile version