Site icon Telegrafi

Nacionalizmi serb, ai shqiptar dhe Samiti i Trieshtës

Muajin e kaluar u mbajt Samiti i Trieshtës, i cili u kualifikua herë si një marrëveshje historike, herë si krijim i një Jugosllavie të re, ndërsa nga të tretët u kualifikua si tradhti e interesave nacionale.

Sa është historike, sa është Jugosllavi e re dhe sa tradhti?

Me gjasë është nga të gjithat nga pak. Në pjesën e mbetur nga ish-Jugosllavia që ende nuk është përfshirë në BE, pjesa më e madhe e problemeve kanë të bëjnë me marrëdhëniet (ar)miqësore, shqiptaro-serbe. Përkundër shumë gjakut të derdhur, përkundër okupimeve serbe në shekullin XIX dhe XX, dhe spastrimeve etnike, shpërnguljet e dhunshme, dhe kolonizimeve që i kreu shteti i Serbisë, përfshirë edhe luftën e fundit më 1998-99, megjithatë të dy popujt ndodhen në situatë pak a shumë të njëjtë: të ndarë në disa shtete, pa një shtet nacional ku jeton shumica e kombit.

Rruga e nacionalizmit serb në këtë marrëdhënie ishte e ndryshme nga ajo e atij shqiptar, sepse fillon me pavarësinë e fituar më herët, fal fitores së Rusisë mbi Perandorinë Otomane dhe njohjes së saj prej Kongresit të Berlinit me 1878. Ky ishte në fakt fillimi i luftës me shqiptarët, të cilën shteti serb e filloi për të pushtuar territoret e banuara me shqiptarë autoktonë nën Perandorinë Otomane, nën pretekstin se po i çlironte nga otomanët.

Pra, Serbia që me 1878 nisi një rrugë të gjatë të përfshirjes së krejt serbëve në një shtet, e cila ide u ndesh me prezencën shqiptare në këtë rrugë, që nga rajoni i Nishit dhe Kumanovës në juglindje dhe së fundmi, në shekullin e XX, deri në kufirin grek në jug dhe atë të Shqipërisë londineze në perëndim. Të gjitha këto territore, të cilat Serbia pretendonte se i takojnë për shkak të sakrificës mesjetare të Kosovës, i pushtoi dhe më vonë i përfshiu edhe në Jugosllavi, kundër vullnetit të shqiptarëve, duke i shfarosur, duke i kolonizuar ato vise dhe duke I shpërngulur me dhunë shqiptarët në vende të tjera.

Megjithatë, sot serbët ndodhen të ndarë në pesë shtete dhe të armiqësuar pak a shumë me të gjithë.
Në anën tjetër, shqiptarët, me njohjen e pavarësisë për Shqipërinë nga Konferenca e Londrës, e realizuan shtetin e pavarur në një të tretat e territoreve të banuara me shqiptarë. Përafërsisht, mbi dy të tretat e territoreve të banuara me shqiptarë mbetën jashtë Shqipërisë së pavarur dhe ato u okupuan kryesisht nga shteti serb menjëherë, për të përfunduar pas Luftërave Ballkanike, Luftën e Parë Botërore në Jugosllavinë e Parë, e pastaj edhe të Dytën, gjithnjë pa vullnetin e banorëve autoktonë të tyre.

Pas shkatërrimit të Jugosllavisë së fundit, shqiptarët në një situatë të kundërt me atë të vitit 1878, pas ndërhyrjes së NATO-s për të penguar spastrimin etnik në Kosovë, mbetën të ndarë në pesë shtete, përfshirë këtu edhe Kosovën.

Duke u nisur nga rruga e ndryshme, ajo që dua të nxjerr si përfundim është se shqiptarët dhe serbët ndodhen në situatë pak a shumë të njëjtë edhe pse këto marrëdhënie i ngarkon padyshim qasja e gabuar e nacionalizmit serb ndaj çështjes shqiptare në Ballkan. Serbët përsëri mbetën pa një shtet, ku do të përfshiheshin shumica e serbëve dhe me program nacional të rikthyer gati në fillim, pra në fillim të shekullit XX.

Ideologjia e nacionalizmit serb mbështetej në luftën kundër Turqisë dhe të gjithë myslimanëve, dhe kjo shërbeu si pretekst për spastrime të tmerrshme etnike në Kosovë, Maqedoninë e sotme, në Sanxhak dhe në Serbinë juglindore, duke filluar nga qyteti i Nishit, Toplicës, Leskovcit, Vranjes.

Edhe pse nacionalizmi shqiptar filloi rilindjen kombëtare me një ide të çlirimit kombëtar nga Perandoria Otomane, faza tjetër e nacionalizmit shqiptarë bazohet në orientim antiserb, sepse Serbia rrezikonte tashmë tërësinë territoriale, ekzistencën fizike të pjesës më të madhe të kombit, duke pretenduar madje edhe bregdetin e Shqipërisë së sotme, përkatësisht korridoret për të dal në Adriatik.

Nacionalizmi shqiptar po ashtu synonte të gjithë shqiptarët në një shtet, por kjo pengohej pas vitit 1912 vetëm nga shteti serb dhe kështu lufta për shtetin shqiptar në Ballkan kishte kuptimin e çlirimit nga Serbia (më vonë nga Jugosllavia) .

Serbia edhe pse arriti të bashkojë sllavët e jugut në një shtet, dy herë nuk arriti t’i mbajë bashkë, pikërisht për shkak të konceptit unitarist të shtetit në të cilin donin të dominonin. Edhe pse i kamufluar me idenë jugosllave, pra pas vëllazërisë mes sllavëve të jugut, nacionalizmi serb, gjithnjë prorus, nuk arriti të formësojë shtetin vet, për bindjen time vetëm për shkak të marrëdhënieve të gabuara me shqiptarët, të cilat ideologët e nacionalizmit serb i kishin konceptuar gabimisht si marrëdhënie ndërfetare, apo marrëdhënie mes civilizimesh të kundërta, me të cilët nuk mund të bashkëpunohej, por të cilët duhet ose të nënshtrohen dhe asimilohen ose të shfarosen ushtarakisht.

Në këtë kontekst, shteti serb ishte drejtuar ideologjikisht nga kisha ortodokse serbe, e cila asnjëherë nuk ishte vetëm organizatë fetare, por ishte një bashkësi shoqëror politike me qëllime politike dhe sociale, të cilat në tri luftëra (dy prej të cilave botërore) i manifestoi në dëm të gjithë atyre që nuk ishin ortodoksë dhe me mizori që e tmerruan botën në fund të shekullit XX, duke arsyetuar krimet më morbide në emër të interesave nacionale serbe. Këtu vlen të kujtohet Bosnja dhe Kosova.

Dua të rikthehem sërish te Marrëveshja historike e Trieshtës. Për nacionalistët serb, ata konservatorë, duket si tradhti, ndërsa për të moderuarit duket si një shpresë për Jugosllavinë e re, plus Shqipërinë, ndërkohë që për nacionalistët konservatorë shqiptarë duket si tradhti, sepse çdo përmirësim i marrëdhënieve me Serbinë shihet me mosbesim, aq më tepër që ajo gjithnjë shihet si dorë e zgjatur e Rusisë në Ballkan.

Marrëveshja e Trieshtës nuk është ndonjë hap I madh, por është ai hapi i vogël i cili e bën ndryshimin në qasje dhe përbën një mundësi të re për serbët të jetojnë në një bashkësi (BE) dhe t’i kenë rrugët e hapura në të gjitha drejtimet, për komunikim dhe qarkullim.

Një marrëdhënie e re mes shqiptarëve dhe serbëve e bën të mundur evropianizimin e Ballkanit, ndërkohë që çfarëdo marrëdhënie që synon rikthimin e kontrollit serb në çfarëdo forme, në hapësirat e ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë, paraqet ballkanizim të Evropës. Prandaj, mendoj se Samiti i Nishit, i cili u mbajt në tetor 2016, në mes të qeverive shqiptare dhe serbe, sikurse edhe Trieshta, simbolikisht paraqesin pikëtakimin e ri historik të shqiptarëve dhe serbëve.

Mendoj se vetëm në kuadër të marrëdhënieve të reja shqiptaro-serbe, mund të arrihet edhe normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi, si dhe normalizimi i marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës. Pra, marrëdhëniet e reja shqiptaro-serbe, të bazuara në projektin evropian dhe euroatlantik, shtendosin krejt Ballkanin perëndimor, sa drejtpërdrejtë, sa me shembullin e vet.

Fatmirësisht, në këtë proces politikanët janë përpara shumicës së intelektualëve, të dy kombeve të cilët ende nuk po arrijnë të lirohen nga projeksionet e shekullit XIX, e madje disa as nga ato mesjetare. Është me rëndësi që të hapen rrugët e komunikimit të plotë, bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët të gjitha komuniteteve në Ballkan, në kuadër të idesë evropiane, sepse nacionalizmat në Ballkan nuk e mundin dot përfundimisht njëri-tjetrin, as idetë jugosllave apo ballkanike nuk i zënë ambiciet shtetformuese të popujve të Ballkanit, as nuk sigurojnë paqen në regjion.

Exit mobile version