Banorë të një banese e cila ndodhet mjaft afër shpërthimit të ndodhur të premten në një magazinë në qytetin e Lushnjës kanë treguar për mediat momentet e panikut që kanë përjetuar.
Në ato momente në shtëpi ndodheshin 4 persona midis tyre dhe një fëmijë i sapolindur.
Kryefamiljari ndodhej jashtë vendit dhe menjëherë është nisur për të shkuar pranë familjes. Fatmirësisht familjarët e tij nuk patën lëndime, por banesa ka pësuar dëme mjaft të mëdha materiale.
“U ktheva urgjent se më thanë që kishte ndodhur diçka e keqe, kur erdha i gjeta njerëzit jashtë, xhama kudo, hekurat të hedhur gjithandej, me këtë gjendje që është shtëpia mund të kisha gjetur njerëz të vrarë, i ka ruajtur Zoti”, thotë ai mes lotësh.
Si pasojë e shpërthimit të gjithë familjarët kanë mbetur të shokuar, ndërsa kaluan edhe natën jashtë ambientit të shtëpisë.
Më të mëdhenjtë tregojnë se kjo ishte diçka e papritur, dhe po mundohen të marrin veten pas kësaj ngjarjeje të rëndë.
Një shpërthim i fuqishëm tronditi pasditen e djeshme qytetin e Lushnjës, ku për pasojë 2 persona humbën jetën dhe disa të tjerë i plagosur. /euronews.al/