Dorina ka kaluar një fëmijëri shumë të trishtë, për shkak të problemit të vëllait të saj me drogën.
Ajo vjen nga qyteti i Lushnjes dhe vazhdon shkollën e lartë në degën e Italishtes në Tiranë. Te e “E Diela Shqiptare”, në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, ajo tregon historinë e vëllait të saj, kur në moshën 16-vjeçare prindërit e kanë çuar në Greqi për të ndjekur një shkollë profesionale, për një të ardhme më të mirë. Por, kjo dëshirë e prindërve duket se iu kthye mbrapsht, pasi filloi të sillej ndryshe nga zakonisht.
Dorina tregon se ai vinte shumë shpesh në Shqipëri dhe në xhepat e tij gjeje më shumë para sesa bashkëmoshatarët. Nëse prindërit nuk mund t’ia plotësonin dëshirën, ai zgjidhte të mos shkonte më në shkollë.
Kjo histori zgjati për vite me radhë dhe ekonomia e familjes së Dorinës sa vinte dhe shkonte drejt rënies. Në shtëpi punonte vetëm babai duke u marrë me bujqësi në Lushnje. Sjellja jo e këndshme e vëllait arriti deri në atë pikë sa ai filloi të ushtronte dhunë në shtëpi. Kjo gjë u bë e patolerueshme dhe ata vendosën ta denoncojnë këtë rast.
“Ai filloi të ushtrojë dhunë tek ne që në moshën 20-vjeçare. Në atë kohë ne kemi kuptuar se ai ishte përdorues droge. Nga denoncimi që i bëmë bëri disa muaj burg dhe tani jeton në një qytet tjetër, për të nisur një jetë të re. Ai po punon për veten e tij dhe nuk kërkon më para në shtëpi, sepse ai u kthye në një forcë shkatërruese për ne dhe për veten e tij. Por, drogën ende nuk e ka lënë. Në sjelljet që ka bërë është penduar më pas, por më kot, sepse historia përsëritej nga e para”, thotë ajo.
Dorina sot kishte vendosur të thërriste mamin në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, pasi ajo e di shumë mirë që nëna e saj është e dërrmuar nga kjo histori.
“Unë dua ta shikoj gjithmonë të buzëqeshur. Ajo ka edhe një merak për mua. Dëshiron që unë ta bëj krenare dhe ky është misioni im”, thotë ajo.