Telegrafi

MZHE: Privatizimi i PTK-së sipas planit

Për blerjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, janë kualifikuar Hrvatski Telekom, Kroaci, kompania amë Deutche Telecom, Gjermani dhe Telekom Austria, Austri

Procesi i vlerësimit të aplikacioneve është kryer nga një panel profesional i përbërë nga përfaqësuesit e pesë ministrive pjesëmarrëse në KQP.

Këshilltarët e transaksionit duke realizuar detyrat dhe obligimet e veta në këtë proces janë në kontakt të përhershëm me përfaqësuesit e autorizuar të kompanive të kualifikuara dhe ato janë të interesuara për të marrë pjesë në privatizimin e PTK-së.

Komisionit Qeveritar i Privatizimit, përmes Njësisë për Implementimin e projektit të privatizimit të PTK-së dhe këshilltarit të transaksionit është duke përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të shpallur thirrjen për tenderim.

“Hapi tjetër në këtë proces është thirrja për propozime, gjegjësisht oferta teknike, ku investitorëve të kualifikuar u ofrohet qasje në tërë dokumentacionin relevant dhe u prezantohet draft marrëveshja për shitblerjen e aksioneve me kufizimet potenciale”, thuhet në një komunikatë për media të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE).

Pas kësaj faze, kur të pranohen ofertat e tyre finale, kompanitë ftohen të japin ofertën e tyre financiare, i cili është kriteri i fundit për përcaktimin e tenderuesit fitues.

Procesi i privatizimit të PTK-së do të përmbyllet deri në fund të këtij viti. /Telegrafi/