Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), ka nxjerr një vendim i cili ndalon çfarëdo mase për dhënien e thëngjillit në formë dhurate për punëtorët e ndërmarrjes Korporata Energjetike e Kosovës.
Në arsyetimin e kësaj ndalese, thuhet se ky vendim është në përputhje me angazhimet e Task-Forcës ndërministrore për përmirësimin e cilësisë së ajrit me qëllim të mbrojtjes së ajrit dhe të stimulimit për zbatimin e masave për zhvillim të pastër në përputhje me Strategjinë për Mbrojtjen e Mjedisit, raporton lajmi.net.
Vitin e kaluar kryeqyteti i Kosovës, Prishtina figuronte ndër vendet e para në botë me ndotje të ajrit. Për këtë arsye ishte ndaluar shitja dhe përdorimi i qymyrit si lëndë djegëse.
Por të njëjtin problem kryeqyteti e ka edhe këtë vit. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dje bëri të ditur se është rikthyer ndotja e ajrit dhe shkaktar për këtë janë termocentralet dhe përdorimi i ngrohjes.
Sipas matësve të cilësisë së ajrit të vendosur nga ambasada amerikane në kryeqytet, mbrëmë ndotja e ajrit ka shënuar nivelin prej 122 PM, e cila cilësohet si shumë e pashëndetshme për grupe të caktuara të njerëzve. /Lajmi.net/Telegrafi/