Telegrafi

Myrto Uzuni shënon dy herë ndaj Tenerifes, vazhdon si lider i listës së top-shënuesve

Myrto Uzuni po vazhdon të jetë i padiskutueshëm te Granada në këtë sezon të La Liga 2, duke vazhduar ta rrisë numrin e golave.

Sulmuesi beratas u bë protagonist edhe në ndeshjen ndaj Tenerifes teksa fitoi penallti në minutën e pestë të pjesës së parë.

Sigurisht nga pika e bardhë u shfaq vetë lojtari i kombëtares i cili mori përsipër ekzekutimin e penalltisë dhe shënoi për 1-0.

Uzuni goditi me siguri duke shmangur portierin kundërshtar ndërsa konfirmohet lider i Granadas.

Pak pa u mbyllur ndeshja, Uzuni shënoi edhe një herë nga penalltia, për t’i siguruar fitoren skuadrës së tij.

Ai është lider edhe në renditjen e golashënuesve në kampionat teksa dy golat ndaj Tenerifes e dërgojnë në shifrën e 17 shënimeve. /Telegrafi/