Myftiu i Dibrës, Ramazan Hasa e ka porositur opinionin publik në vendin tonë që të marrin për model shembullin dibran për bashkëjetesë dhe tolerancë fetare dhe etnike, transmeton Telegrafi Maqedoni.
„Pa dallim nëse dikush është më i madh në numër ose po pakicë, nevojitet tolerancë dhe respektim“, ka thënë Myftiu Hasa në takimin që e ka realizuar me priftin e Famullisë së Dibrës, Blagoja Spirovski.
Hasa ka shtuar se në Dibër gjithnjë ka pasur respekt të ndërsjellë nëpër shekuj, ndërsa vazhdon njëjtë dhe tani.
Prifti dibran Blagoja Spirovski, duke ia uruar festën e Bajramit Myftiut të Dibrës, ka thënë se Dibra duhet të jetë model edhe për qytetet tjera.
„Këtu nuk ka urrejtje, por ka respekt dhe bashkëjetesë“, ka thënë Spirovski dhe ka shtuar se nëse dikush dëshiron ta gjejë të vërtetën të cilën e kërkon çdo fe, për respektimin midis feve të ndryshme, duhet të vijë në Dibër dhe ta sheh atë të vërtetë./Telegrafi/