Erjon Kastrati në stinorin pranveror ju bashkua Golden Eagle Yllit, ku arriti sukses të dyfishtë, duke triumfuar në Ligën Unike dhe Five Star Superligën e Kosovës në basketboll. Erjoni ishte edhe MVP i Ligës Unike.
Skuadra nga Theranda ka investuar mjaft në vitet e fundit, kurse në këtë edicion arriti që të fitojë titujt e parë në histori të klubit. Fituan edicionin e parë të Ligës Unike, si dhe fituan për herë të parë titullin në Superligën e Kosovës. Therandasit po ashtu ishin finalist të Kupës.
Njëri nga lojtarët më të dalluar ishte Erjon Kastrati. Ai erdhi nga Koper Primorska. “Ka qenë një edicion i suksesshëm, ku kemi fituar dy tituj dhe kemi arritur një finale. Nuk është lehtë të fitohet në asnjë Ligë të botës, sidomos në këtë edicion të Superligës së Kosovës në basketboll, ku kishte shumë konkurrencë. Jam krenar me ekipin tim”, ka thënë Kastrati për faqen zyrtare të FBK-së.
Sipas tij nuk ka qenë aspak e lehtë të fitohen këto trofe. “Ka qenë liga më e barabartë në 20 vitet e fundit. E konsideroj si arritje të madhe që kemi fituar Ligën Unike dhe Five Star Superligën e Kosovës në basketboll. Skuadrat kanë qenë të përforcuara. Ka pasur konkurrencë të madhe dhe cilësi”.
“Cilado skuadër të shpallej kampion nuk do të ishte befasi, sepse e kemi parë se gjatë kampionatit secila e ka mundur njëra-tjetrën. Edhe finalet nuk kanë qenë të lehta, pasi në tri ndeshjet fituesi është vendosur në minutat e fundit. Besoj se me meritë jemi shpallur kampion në fund”, shtoi tutje anëtari i Përfaqësueses së Kosovës në basketboll.
Por, për të arritur këto suksese, Erjoni ka punuar shumë. “Asgjë nuk është e rastësishme. Puna paguhet. Herët apo vonë vjen shpërblimi për punën e bërë. Duhet të stërvitemi e të punojmë shumë dhe sigurisht se suksesi nuk do të mungoj. Ata që duan të merren me sport, duhet të jenë sa më profesionist”, nënvizon 26-vjeçari.
Përveç punës, Kastrati është shembull, duke mos pasur polemika me kundërshtarë, gjyqtarë apo tifozë. “Në fund të ditës ne të gjithë jemi sportistë. Të gjithë duam të fitojmë, por duhet të kontrollojmë veten. Duhet të respektojmë edhe kundërshtarët e tifozët. Kosova është një vend i vogël dhe ne prapë në fund të ditës jemi së bashku, andaj duhet të kemi respekt”.
Mesazhi për fëmijët që duan të merren me basketboll është i qartë. “Duhet të punojnë shumë dhe të besojnë në ëndrrat e tyre. Sigurisht se puna do të shpërblehet”.
Erjoni është ndër lojtarët më të dalluar te Kosova. “Fanella e shtetit tënd ka rëndësi të madhe. Unë jam krenar që luaj për Kosovën, duke dhënë kontributin tim. Edhe për lojtarët e rinj kam një mesazh që të punojnë dhe të stërviten shumë, në mënyrë që një ditë të përfaqësojnë vendin në garat ndërkombëtare”, përfundoi basketbollisti.