Telegrafi

Me muzikë e punëtori të shumta, nesër nis festivali tre ditor “Mitrovica International Jazz Days” – emra të tjerë i bashkohen programit artistik

Foto: Mitrovica International Jazz Days/Instagram

Nesër, më 22 gusht, në Mitrovicë nis edicioni i dytë i festivalit “Mitrovica International Jazz Days” (MIJD), një ngjarje e shumëpritur që do të zgjasë deri të shtunën, më 24 gusht. Festivali do të sjellë një përzierje të pasur të talenteve ndërkombëtare dhe lokale, duke premtuar tri netë të mbushura me muzikë jazz të nivelit më të lartë.

Përgatitjet për këtë ngjarje janë në fazën finale, dhe organizatorët kanë zbuluar emra të rinj të artistëve që do të marrin pjesë në këtë festival. Ndër pjesëmarrësit më të spikatur është Gunhild Carling, një ikonë e jazz-it e njohur ndërkombëtarisht, e cila do të performojë me Big Band-in e saj inovativ.

Ky koncert i jashtëzakonshëm do të realizohet në bashkëpunim me MIJD Big Band, nën drejtimin e dirigjentit të talentuar nga Mitrovica, Edon Ramadani. Ky është një event që premtet të jetë i paharrueshëm dhe do të sjellë një atmosferë të papërsëritshme për të gjithë adhuruesit e jazz-it.

Përveç performancave të mëdha, MIJD do të ofrojë edhe një program unik përmes një bashkëpunimi të veçantë me Down Syndrome Kosova – Mitrovicë. Më 22 dhe 23 gusht, në oborrin e Down Syndrome Kosova – Mitrovicë, do të mbahet një seancë terapie shëruese përmes zërit, e udhëhequr nga Arta.

Kjo seancë do të fokusohet veçanërisht tek personat me aftësi të kufizuara, duke ofruar një përvojë të thellë relaksimi dhe balancimi të mendjes, trupit dhe shpirtit. Kjo terapi shfrytëzon vibracionet dhe tonet për të qetësuar dhe rregulluar sistemin nervor, duke ofruar një ndjesi të thellë të qetësisë dhe lidhjes me vetveten.

Në natën përmbyllëse të festivalit, më 24 gusht, në orën 19:00, publiku do të ketë mundësinë të shijojë performancën e KKDV Quartet, një grup që do të sjellë një natë të paharrueshme jazz-i.

“Mitrovica International Jazz Days” është një ngjarje që nuk duhet humbur, duke ofruar një kombinim unik të muzikës jazz dhe aktiviteteve që synojnë të përfshijnë të gjithë komunitetin. Ndërsa ora po afron për nisjen e festivalit, qyteti i Mitrovicës po përgatitet për të mirëpritur një eksperiencë muzikore që do të kujtohet gjatë. /Telegrafi/