Nga: Spiro J. Shetuni
Brenda qerthullit të përgjithshëm të studimit të muzikës tradicionale qytetare shqiptare, hulumtimi i stileve muzikorë themelorë të saj, është ndoshta aspekti më i parapëlqyer i punës së studiuesit etnomuzikolog. Mendoj se, një dukuri e tillë, i detyrohet përfytyrës së shquar melodiko-modale të tyre. Stilet muzikorë themelorë qytetarë, në krahasim me stilet muzikorë themelorë fshatarë, janë, në përgjithësi, më të individualizuar, përsa u takon tipareve të tyre melodiko-modalë. Rrjedhimisht, ata mund të dallohen përmes një dëgjimi të thjeshtë, si nga studiuesi i profesionit, ashtu edhe nga artdashësit në përgjithësi. Sidoqoftë, një dukuri e tillë, nuk e bën procesin e studimit të tyre domosdoshmërisht të thjeshtë. Në përgjithësi, mund dhe duhet pranuar se, studimi i stileve muzikorë themelorë të muzikës tradicionale qytetare shqiptare, mbetet një proces i vështirë, kompleks, shumë-dimensional. Krahas çështjeve thjesht artistiko-muzikore, një process i tillë, ngërthen, gjithashtu, çështje me natyrë jashtë-artistike: shoqërore, historike, gjuhësore, poetike, letrare, etj.
Muzika tradicionale qytetare shqiptare, nga pikëpamja tipologjike, ekziston thjesht në një dialekt të vetëm, pra, pa nën-dialekte të caktuar muzikorë. Sidoqoftë, për t’a bërë studimin e saj më të lehtë, duke u nisur nga pikëpamja e strukturës së përgjithshme, ose sasisë së linjave melodike, ajo mund të ndahet në dy grupime muzikorë kryesorë: grupimi muzikor qytetar një-zërësh; grupimi muzikor qytetar shumë-zërësh. Ndër stilet muzikorë më përfaqësues të grupimit muzikor qytetar një-zërësh, lejomëni të përmend: stilin muzikor të qytetit të Shkodrës, stilin muzikor të qyteteve të Shqipërisë së Mesme (Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan) dhe të disa qyteteve të Kosovës (Prizren, Gjakovë, Pejë), stilin muzikor të qytetit të Beratit, etj. Kurse, ndër stilet muzikorë më përfaqësues të grupimit muzikor qytetar shumë-zërësh, më lejoni të vë në dukje: stilin muzikor të qytetit të Përmetit, stilin muzikor të qytetit të Vlorës, etj.
Stilet muzikorë themelorë të dialektit qytetar, në plan të përgjithshëm, i karakterizojnë sidomos katër dukuri kryesore: së pari, ruajtja e një përfytyre melodiko-modale origjinale, individuale, të papërsëritshme; së dyti, të pasurit e një jete artistike të gjallë, vepruese, aktive, gjatë shekullit XX, në përgjithësi dhe gjysmës së dytë të tij, në veçanti; së treti, përshtatja ndaj shijeve estetiko-artistike të publikut shqiptar, nga njëra anë, dhe ndikimi mbi shije të tilla, nga ana tjetër; së katërti, njohja në shkallë kombëtare e ndërkombëtare.
Gjatë këtij studimi, do të hulumtohen pesë stile muzikorë të dialektit qytetar: 1) stili muzikor i qytetit të Shkodrës; 2) stili muzikor i qyteteve të Shqipërisë së Mesme (Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan) dhe i disa qyteteve të Kosovës (Prizren, Gjakovë, Pejë); 3) stili muzikor i qytetit të Beratiti; 4) stili muzikor i qytetit të Përmetit; 5) stili muzikor i qytetit të Vlorës. Ndërkohë, brenda çdo stili, do të trajtohen në mënyrë të përmbledhur, vetëm se thelbësore, këto çështje: i) parashtrim; ii) përmbajtja ideo-emocionale; iii) mjete shprehës; iv) marrdhëniet midis tekstit dhe muzikës; v) përfaqësues të shquar; vi) origjina; vii) bashkëveprim muzikor; viii) qartësim: në vend të polemikës; ix) përfundime.
I bëj të ditur lexuesit se, në emër të qartësisë së studimit, brenda tij, emri themelor i një stili muzikor, do të jepet vazhdimisht i nënvizuar, si, p.sh.: Stili muzikor i qytetit tё Shkodrёs, Stili muzikor i qyteteve tё Shqipёrisё sё Mesme dhe tё Kosovёs, Stili muzikor i qytetit të Beratit, etj. Ndërkohë, variantet e emrit të një stili, nuk do të nënvizohen. I bëj të ditur lexuesit, gjithashtu, se, brenda çdo stili muzikor, emrat e vjershëtorëve, kompozitorëve, këngëtarëve, instrumentistëve, etj., do të jepen alfabetikisht, sipas mbiemrave të tyre. Duke iu përmbajtur një kriteri të tillë, mendoj se, mënjanohet çdo lloj keqkuptimi, njëanshmërie, subjektivizmi. Sidomos në rastet që, numri i emrave është i konsiderueshëm, kriteri alfabetik shërben si rrugë gjithmonë e përshtatshme, aq e rëndësishme, për një studim me natyrë akademike.
Synimi kryesor i studimit është që të nxirret në pah, sidomos, origjinaliteti, individualiteti, papërsëritshmëria e stileve muzikorë themelorë të dialektit qytetar, përfytyra e tyre melodiko-modale dalluese, në krahasim me njëri-tjetrin. Sidoqoftë, në asnjë mënyrë nuk pretendohet që, tiparet e tyre, të shqyrtohen në mënyrë shterruese.
STILI MUZIKOR I QYTETIT TE SHKODRES
Parashtrim
Duke qenë se arti është përvetësim artistik i realitetit objektiv nga njeriu, bukurinë e tij e sjell, para së gjithash, forca e talentit artistik të një vjershëtori o kompozitori, të një tregimtari o shkrimtari, dhe, në rastin tonë, të përfaqësuesve më të shquar të artit tradicional të një fshati o qyteti, të një zone o krahine të caktuar etnografike. Vështirë se mund të ketë ndonjë dëgjues të muzikës tradicionale shqiptare që të mos jetë në gjendje të dallojë, qoftë edhe përmes një dëgjimi të thjeshtë, stilin muzikor të qytetit të Shkodrës. Një dukuri e tillë vjen thjesht sepse ai është tepër i kristalizuar përsa i takon përfytyrës tërësore lëndoro-substanciale e strukturoro-formale. Faktorë, si: kërkesa për të ruajtur, pasuruar e zhvilluar trashëgiminë muzikore qytetare; dëshira për t’a bërë atë sa më të njohur në plan kombëtar e ndërkombëtar; domosdoshmëria që, përmes saj, të përmbushen nevoja të rëndësishme shpirtërore të masës së gjerë; roli i madh që luan arti tradicional për të ruajtur tiparet etnike të një kombi, populli e grupi të caktuar etnik; funksioni i tij i rëndësishëm për të mbrujtur një art e kulturë profesioniste me përfytyrë etniko-kombëtare, etj., kanë bërë që, kënga tradicionale qytetare shkodrane, të jetë, sa e kristalizuar, aq edhe e njohur. Kështu, ajo, në të njëjtën kohë, ka bërë të njohur edhe qytetin e lindjes, banorët, jetën, kulturën, historinë, bashkëkohësinë.
Për vetë shkallën e lartë të individualizimit melodiko-modal, për vetë jetën e gjallë e vepruese, për vetë popullaritetin e veçantë që gëzon ndër dëgjues, për vetë njohjen e gjerë në rrafsh kombëtar e ndërkombëtar, etj., stili muzikor i qytetit të Shkodrës, ndoshta më tepër se çdo lloj stili tjetër qytetar i Shqipërisë, tërhoqi qysh herët vëmendjen e mbledhësve dhe studiuesve të muzikës tradicionale. Në të vërtetë, në çdo antologji muzikore të këngës tradicionale qytetare që është botuar deri më sot në Shqipëri, kënga tradicionale qytetare shkodrane ka pasur gjithmonë një vend të shquar. Duke e parë çështjen kronologjikisht, del se: 1) nga 50 këngë tradicionale kryesisht qytetare që përmban gjithsej antologjia Lyra [sic] shqiptare: Canti Popolari Albanesi, e hartuar nga kompozitori Pjetër Dungu (1908-1989), 19 prej tyre janë këngë qytetare shkodrane (Dungu 1940); 2) vetë antologjia Valle kombëtare: Cori Nazionali Albanesi, e hartuar nga muzicieni Gjon K. Kujxhia, përmban 52 këngë ose valle të kënduara të dasmës qytetare shkodrane (Kujxhia 1943); 3) nga 100 këngë tradicionale kryesisht qytetare që përmban gjithsej antologjia Këngë popullore shqiptare, e botuar nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, 40 prej tyre janë, gjithashtu, këngë qytetare shkodrane (Ministria e Arsimit dhe Kulturës 1959); 4) më në fund, antologjia e titulluar 250 këngë qytetare shkodrane, e hartuar nga muzicienët Tonin Zadeja e Tonin Daija, përmban 200 këngë të ahengut qytetar shkodran, 16 këngë të krijuara nga kompozitorë të njohur shkodranë dhe 34 këngë ose valle të kënduara të dasmës qytetare shkodrane (Zadeja, Daija 2000). Sidoqoftë, gjatë hapësirës kohore më tepër se gjysmë-shekullore (1940-2000), janë botuar vetëm dy antologji muzikore posaçërisht me këngë tradicionale qytetare shkodrane! Për mendimin tim, një gjendje e tillë sërish nuk është e kënaqshme!
Dëshiroj që të vë në dukje se, ndër katër antologjitë muzikore që përmenda më lart, si material bazë mbi të cilin mbështetet ky studim, shërbyen sidomos dy prej tyre–Valle kombëtare: Cori Nazionali Albanesi, hartuar nga Gjon K. Kujxhia, dhe 250 këngë qytetare shkodrane, hartuar nga Tonin Zadeja dhe Tonin Daija. Autorët e këtyre antologjive s’kanë meritë thjesht për regjistrimin dhe transkriptimin e një pjese të konsiderueshme të trashëgimisë muzikore qytetare shkodrane. Atyre u detyrohen edhe analizat e para etnomuzikologjike rreth strukturës së kësaj trashëgimie. Ndonëse studimi im bën një përpjekje tjetër në këtë aspekt, është e kuptueshme se, analizat etnomuzikologjike rreth çështjeve më të ndryshme, që ngërthen kënga tradicionale qytetare shkodrane, mund dhe duhet të zgjerohen e thellohen sa më shumë që të jetë e mundur në të ardhmen.
Ndër studiuesit shqiptarë, i pari ishte pikërisht muzicieni i njohur shkodran, Gjon K. Kujxhia, i cili, përsa i takon tipologjisë së stilit muzikor të qytetit të Shkodrës, në plan të të përgjithshëm, vërejti dy grupe të mëdhenj krijimesh: 1) këngë ose valle të kënduara të dasmës qytetare shkodrane; 2) këngë të ahengut qytetar shkodran. Afritë dhe dallimet më themelore midis tyre ndoshta do të mund të karakterizoheshin në këtë mënyrë: i) nga pikëpamja ornamentike, Grupi I vjen disi më i kufizuar, ose shumë më i kufizuar, sesa Grupi II; ii) përsa i takon shtrirjes modale/tonale, Grupi I është, gjithashtu, disi më i kufizuar, ose shumë më i kufizuar, sesa Grupi II; iii) nga pikëpamja e sistemit modal/tonal, Grupi I përdor thuajse vetëm mode diatonikë, kurse Grupi II përdor në një shkallë të barabartë, si mode diatonikë, ashtu edhe mode kromatikë; iv) përsa i takon aspektit metrik/ritmik, Grupi I është i matur, i qartë, i përcaktuar, kurse Grupi II shfaqet herë-herë i matur, i qartë, i përcaktuar, herë-herë i pamatur, i paqartë, i lirë, ose kapriçoz, delikat, i stërholluar; v) nga pikëpamja e strukturës formale, Grupi I vjen, në tërësi, disi më i kufizuar, ose shumë më i kufizuar, sesa Grupi II; vi) përsa u takon marrdhënieve me instrumentet muzikorë, Grupi I, zakonisht, është a cappella, kurse Grupi II, më shpesh, përcillet me instrumente muzikorë. Ndërkohë, duhet pasur parasysh se, brenda këtyre dy grupimeve të mëdhenj krijimesh, ekzistojnë nën-grupime të ndryshëm, etj.
Përmbajtja ideo-emocionale
Stili muzikor i qytetit të Shkodrës shquhet nga një përmbajtje ideo-emocionale e pasur, e gjerë, e thellë, shumë-dimensionale. Motivet themelorë të kësaj përmbajtjeje japin artistikisht tërë universin e jetës shqiptare, dhe, sidomos, asaj shkodrane, të djeshme e të sotme. Një vend parësor zenë motive, si: figura e vajzës shkodrane, nuses shkodrane, gruas shkodrane; figura e djalit shkodran, dhëndërit shkodran, trimit shkodran; mjedisi shkodran, jeta shkodrane, zakonet shkodrane; dashuria midis vajzës e djalit; marrdhëniet midis gruas e burrit, etj. Në raste të tjerë, ndonëse më pak, bëhen objekt figura të shquara të popullit shqiptar, dëshmorë e heronj, ngjarje të rëndësishme historike, etj. Duke përjetuar këngën tradicionale qytetare shkodrane, dëgjuesit ndjejnë sidomos një lloj gëzimi e hareje, një lloj ngazëllimi e përdëllimi të veçantë emocional. Në raste të tjerë, ata ndjejnë një lloj humori e shakaje, një lloj lodre e zbavitje të lehtë. Mirëpo, nota të tilla, shpesh bashkëjetojnë me nota dhimbjeje e keqardhjeje, trishtimi e përmallimi. Nuk mund të mohohet fakti se, gjatë sundimit pesë-shekullor të Perandorisë Otomane të udhëhequr nga turqit (1468-1912), kënga tradicionale qytetare shkodrane, në aspektin poetik, u ndikua nga letërsia turko-arabo-persiane. Shprehje e kësaj dukurie janë edhe fjalë të shumta turke që kanë ardhur deri në ditët tona. Mirëpo, në rastet më të mirë, pikërisht ato i japin poezisë tradicionale të qyteteve nuancat e duhura dhe në tërësi frymën emocionale të kohës së krijimit të tyre. Shembulli më tipik i ndikimit të letërsisë turko-arabo-persiane është letërsia e bejtexhinjve, një vatër e së cilës ishte edhe vetë qyteti i Shkodrës. Sakaq, nga ana e saj, kjo lloj letërsie, duke u zhvilluar në një mjedis ekonomiko-shoqëror e kulturoro-artistik të përbashkët me këngën tradicionale qytetare, në një mënyrë ose tjetër, ushtroi ndikim mbi ecurinë e saj. Disa ndër krijimet muzikorë më të shquar tradicionalë qytetarë shkodranë, të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë, ndoshta do të ishin: “Shegë e ambël, shegë e butë,” “Pranvera filloi me ardhë,” “Marshalla bukurisë sate,” “Po ti çka i ke thanë dikuj,” “Bishtalecat palë-palë,” “Ti je krejt si një gonxhe,” “Si dukat i vogël je,” “Në zaman t’njasaj furi,” “Pranvera me dalë ka fillue,” “Lule borë,” etj. Më lejoni që të jap një fragment nga kënga qytetare shkodrane aq e mirënjohur brenda e jashtë vendit–“Lule borë”–, autorë të së cilës janë: Aleksandër Gera (vjershëtor) dhe Simon Gjoni (kompozitor):
“Tue kërkue n’arë dhe në kodër,
Tue prekë lulet t’gjithë me dorë,
Veç n’nji kop’sht të vogël n’Shkodër,
Ty të gjeta, lule borë!
Je e vogël, por je plot,
Ty t’kërkoj unë tash sa mot,
Tash sa mot unë ty t’kërkoj,
N’g’zim me ty jetën t’a shkoj.
Eja, eja, lule borë,
Unë me ty do t’thur kunorë!”
Mjete shprehës
Duke u mbështetur qartësisht mbi shtratin lëndoro-substancial e strukturoro-formal të dialektit muzikor qytetar (grupimit të tij një-zërësh), stili muzikor i qytetit të Shkodrës ndërtohet prej një linje të vetme melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme, ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të interpretuarit, zakonisht, nga një njeri i vetëm, individualisht, solistikisht. Sidoqoftë, nga pikëpamja e sistemit modal/tonal, krijimet e tij mund të ndahen në dy grupe, klasa, ose kategori kryesore: i) krijime me sistem modal/tonal diatonik; ii) krijime me sistem modal/tonal kromatik. Nënvizoj se, herë-herë, sistemi modal/tonal i krijimeve të Grupit II, mbështetet mbi makame të caktuar (mode ose shkallë të muzikës profesioniste turke).
Nga pikëpamja e sistemit modal/tonal, grupimet kryesorë të stili muzikor të qytetit të Shkodrës–këngët ose vallet e kënduara të dasmës qytetare shkodrane dhe këngët e ahengut qytetar shkodran–, krahas afrive, njohin edhe dallime. Këngët ose vallet e kënduara të dasmës qytetare shkodrane, përsa i takon sistemit modal/tonal, parapëlqejnë veçanërisht mode diatonikë. Ndër 52 këngë ose valle të kënduara të dasmës qytetare shkodrane, që përmban gjithsej antologjia Valle kombëtare: Cori Nazionali Albanesi, 49 prej tyre ndërtohen në mode diatonikë, kurse 3 ndërtohen në mode kromatikë. (Konkretisht, këngët: “Ganxhet çilin shtatë e tetë,” “U përpoq hylli me hanën,” “Hajde të dalim nga pazari.”) Ndër 34 këngë ose valle të kënduara të dasmës qytetare shkodrane, që përmban gjithsej antologjia 250 këngë qytetare shkodrane, 29 prej tyre ndërtohen në mode diatonikë, kurse 5 ndërtohen në mode kromatikë. (Konkretisht, tri këngët e mësipërme, të cilat përfshihen sërish, si edhe dy këngë të tjera: “Fryni një freski e hollë,” “Ishin mbedhë shtat’ sumbulla.”) Ndërkaq, këngët e ahengut qytetar shkrodran, përsa i takon sistemit modal/tonal, parapëlqejnë, si mode diatonikë, ashtu edhe mode kromatikë. Ndër 200 këngë të ahengut qytetar shkodran, që përmban gjithsej antologjia 250 këngë qytetare shkodrane, gati gjysma e tyre ndërtohet në mode diatonikë, kurse gjysma tjetër–në mode kromatikë. Përfundimi atëherë është i qartë: ndërsa këngët ose vallet e kënduara të dasmës qytetare shkodrane parapëlqejnë mode diatonikë, këngët e ahengut qytetar shkodran parapëlqejnë në të njëjtën masë, si mode diatonikë, ashtu edhe mode kromatikë. Një raport i tillë midis modeve diatonikë dhe atyre kromatikë afron me raportin që ekziston brenda këngëve të ahengut të qyteteve të Shqipërisë së Mesme e të Kosovës dhe këngëve të ahengut të qytetit të Beratit.
Përsa i takon metrikës/ritmikës, stili muzikor i qytetit të Shkodrës fut në veprim thuajse të gjitha llojet e metrave/ritmeve: të thjeshtë, të përbërë, të përzier. S’mungojnë, gjithashtu, as ritmet gjysmë-metrikë. Ndër metrat/ritmet e thjeshtë, përdorim marrin sidomos ata dy-njësish (2/8, 2/4), tre-njësish (3/8, 3/4); ndër metrat/ritmet e përbërë–ata katër-njësish (4/8, 4/4), gjashtë-njësish (6/8, 6/4); ndër metrat/ritmet e përzier—ata pesë-njësish (5/8, 5/4), shtatë-njësish (7/8, 7/4), nëntë-njësish (9/8, 9/4), dymbëdhjetë-njësish (12/8, 12/4), etj. Grupimet kryesorë të stilit muzikor të qytetit të Shkodrës–këngët ose vallet e kënduara të dasmës qytetare shkodrane dhe këngët e ahengut qytetar shkodran–, në planin metrik/ritmik, krahas afrive, njohin edhe dallime. Përsa i takon aspektit metrik/ritmik, saktësoj se, këngët ose vallet e kënduara, ndërsa njohin metra/ritme të tillë, si: metrat/ritmet e thjeshtë dy-njësish (2/8, 2/4), metrat/ritmet e përzier pesë-njësish (5/8, 5/4), metrat/ritmet e përzier nëntë-njësish (9/8, 9/4), metrat/ritmet e përzier dymbëdhjetë-njësish (12/8, 12/4), ndryshe nga këngët e ahengur qytetar shkodran, nuk i përdorin kurrsesi metrat/ritmet e përzier shtatë-njësish (7/8, 7/4). Nëse do të përpiqeshim që të bënim një lloj klasifikimi metrik/ritmik të këngëve ose valleve të kënduara të dasmës qytetare shkodrane, nga pikëpamja sasiore, del se: 1) një pjesë e konsiderueshme e tyre, ndoshta gjysma, organizohet në metra/ritme të thjeshtë dy-njësish (2/8, 2/4); 2) një pjesë tjetër e përfillshme, ndoshta më pak se gjysma, organizohet në metra/ritme të përzier dymbëdhjetë-njësish (12/8, 12/4); 3) metrat/ritmet e tjerë, qofshin ata të thjeshtë, të përbërë, të përzier, përdoren më pak. Siç shihet, pra, krahas metrave/ritmeve të thjeshtë dy-njësish (2/8, 2/4), përdorim të denduar fitojnë, gjithashtu, metrat/ritmet e përzier dymbëdhjetë-njësish (12/8, 12/4).
Sakaq, nëse do të përpiqeshim që të bënim një lloj klasifikimi metrik/ritmik të këngëve të ahengut qytetar shkodran, nga pikëpamja sasiore, del se: i) një pjesë e konsiderueshme e tyre, ndoshta një e treta, organizohet në metra/ritme të thjeshtë dy-njësish (2/8, 2/4); ii) një pjesë tjetër e përfillshme, ndoshta një e treta, organizohet në metra/ritme të përzier shtatë-njësish (7/8, 7/4); iii) ende një pjesë tjetër e konsiderueshme, ndoshta një e treta, organizohet në metra/ritme të përzier nëntë-njësish (9/8, 9/4); iv) metrat/ritmet e tjerë, qofshin ata të thjeshtë, të përbërë, të përzier, përdoren më pak. Siç shihet, pra, krahas metrave/ritmeve të thjeshtë dy-njësish (2/8, 2/4), përdorim të denduar fitojnë, gjithashtu, metrat/ritmet e përzier shtatë-njësish (7/8, 7/4) dhe ata nëntë-njësish (9/8, 9/4). Kështu, metrikisht/ritmikisht, ndodh pak a shumë njësoj sikurse ndodh brenda këngëve të ahengut të qyteteve të Shqipërisë së Mesme e të Kosovës dhe këngëve të ahengut të qytetit të Beratit.
Marrdhëniet midis tekstit dhe muzikës
Në rrafsh të përgjithshëm, duke marrë në konsideratë marrdhëniet midis tekstit dhe muzikës, brenda stilit muzikor të qytetit të Shkodrës, vërehen katër grupime kryesorë krijimesh: i) këngë silabike; ii) këngë melizmatike; iii) kënga silabiko-melizmatike; iv) këngë melizmatiko-silabike. Grupimi i parë nënkupton bashkëjetesën e një ose dy notave muzikore me një rrokje të teksit poetik; grupimi i dytë parakupton bashkëjetesën e tri ose më shumë notave muzikore me një rrokje të tekstit poetik; grupimi i tretë dhe ai i katërt nënkuptojnë bashkëjetesën e lidhjes silabike me atë melizmatike brenda të njëjtit krijim. Po ashtu, këngët e grupimit të parë, zakonisht, organizohen në një meter/ritëm të përcaktuar, kurse ato të grupimi i dytë–në një meter/ritëm të lirë. Shpesh, ndërsa strofa e një kënge mund të jetë melizmatike, refreni i saj shfaqet silabik, dukuri që shoqërohet edhe me ndryshime në aspektin metrik/ritmik. Ndërsa këngët ose vallet e kënduara të dasmës qytetare shkodrane mund të klasifikohen, përgjithësisht, si krijime silabike, këngët e ahengut qytetar shkodran mund të klasifikohen, përgjithësisht, si krijime melizmatike. (Jare-t e mirënjohura shkodrane i takojnë pikërisht kësaj kategorie.) Mirëpo, është interesante të vërehet se, ashtu sikurse brenda këngëve të dasmës gjenden krijime melizmatike, po kështu, brenda këngëve të ahengut hasen krijime silabike. Sidoqoftë, pa dashur në asnjë mënyrë që të thjeshtëzoj çështjen, nga pikëpamja e marrdhënieve midis tekstit dhe muzikës, në tërësinë e saj, kënga qytetare shkodrane shfaqet më tepër melizmatike.
Brenda stilit muzikor të qytetit të Shkodrës, marrdhëniet midis tekstit dhe muzikës, nxjerrin në pah tri dukuri të njohura në mbarë këngën tradicionale shqiptare: i) të kënduarit e më shumë se një teksti të njohur me të njëjtën muzikë të njohur; ii) të kënduarit e më shumë se një teksti të ri me të njëjtën muzikë të re; iii) të kënduarit e një ose më shumë teksteve të rinj me të njëjtën muzikë të njohur. Siç shihet, forma më interesante e shfaqjes së këtij procesi është e treta: ndaj, kur flitet për ‘të, zakonisht, nënkuptohet vetëm një formë e tillë. Dukuri krejt e natyrshme e jetës së këngës tradicionale botërore në përgjithësi, procesi i përshtatjes së poezisë ndaj muzikës merr hov sidomos në periudhat e përmbysjeve politiko-shoqërore, kur kontradikta midis teksteve tashmë të zhvilluara dhe melodikës ende tradicionale është më e madhe.
Përfaqësues të shquar
Stili muzikor i qytetit të Shkodrës është, para së gjithash, fryt i punës krijuese shumë-shekullore të mjaft artistëve të thjeshtë të dalë nga gjiri i popullit: vjershëtorë e kompozitorë. Shumë e shumë emra krijuesish, mjerisht, nuk njihen fare! Megjithatë, duke u mbështetur më tepër në burime të pashkruara, është bërë e mundur që të nxirret në pah një numër prej tyre. Gjatë gjysmës së parë të shekullit XIX, krijues me emër kanë qenë: Hysen Dobraçi, Sali Pata, etj. Në vijim, u shquan krijues, si: Mark Kranjani, Simon Marketa, Shtjefën Tahiri, Ali Tophana, Oso Sela-Falltorja, Kasëm Xhurri, etj. Kranjani e Xhurri njihen si reformatorë të ahengut qytetar shkodran. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX, u dalluan krijues, si: Palok Kurti (1858-1920), Nel (Zenel) Maha, etj. (Zadeja, Daija 2000:3). Kompozitor, instrumentist, autor i disa këngëve-perla të ahengut qytetar shkodran, pionier i notizimit të këtij ahengu, etj., Kurti konsiderohet si figura krijuese më e shquar e këngës tradicionale qytetare shkodrane.
Gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, u shquan si krijues e interpretues në të njëjtën kohë: Nush Pali, Ndrekë Vogli-Naraçi, etj. Gjatë gjysmës së dytë të të njëjtit shekull (vitet 40-të e në vazhdim), bënë emër krijues, si: Rud Gurashi, Jonuz Gushta, Sheuqet Kruja, Namik Mithi, Karlo Pali, Paulin Pali, Hasan Preza, Adil Ujkashi, etj. (Zadeja, Daija 2000:4). Gjatë së njëjtës periudhe historike, ndihmesë dhanë, gjithashtu, kompozitorë të mirënjohur profesionistë, si: Zef Çoba, Tish Daija, Leonard Deda, Pjetër Gaci, Simon Gjoni, Prenk Jakova, Mark Kaftalli, Zef Leka, Çesk Zadeja, etj.
Dihet se, muzika tradicionale, ashtu siç krijohet nga njerëz të talentuar, po kështu edhe ekzekutohet nga individë me prirje të shquara artistike. Nga kjo pikëpamje, historia e zhvillimit të saj është, në të njëjtën kohë, edhe histori e interpretuesve popullorë: këngëtarë, instrumentistë, valltarë, etj. Artin muzikor tradicional mund t’a përdorin dhe e përdorin pa përjashtim, herë më pak o herë më shumë, të gjitha shtresat e shoqërisë. Por, vetëm artistët e aftë, janë në gjendje që t’i japin atij vulën e origjinalitetit krahinor, t’a pasurojnë e zhvillojnë atë, t’a përcjellin me dinjitet të lartë artistik nga njëri brez në tjetrin. Pa dyshim se, në këtë aspekt, kënga tradicionale qytetare shkodrane përfaqëson një shembull të mrekullueshëm.
Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX, midis interpretuesve të stilit muzikor të qytetit të Shkodrës, u dalluan këngëtarë, si: Hila i Files, Taro Hoti, Shtjefën Jakova-Qorri, Ndrekë Preluka, etj. Ndërsa, gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, bënë emër këngëtarë, si: Pjetër Bushati, Hamz Grimci, Kolë Gurashi, Muhamet Gogoli, Sait Hoxha, Tahir Kastrati, Shuk Prifti, Kolë Saraçi, Kolë Mati Tukja, etj. Gjatë së njëjtës periudhe historike, u dalluan, gjithashtu, instrumentistë, si: Nuh Boriçi, Xhevat Boriçi, Kolë Lufi, Adem Mani, Pjetër Tafili, Kolë Vjerdha, Rexhep Zagonjari, etj. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, interpretues të mirënjohur kanë qenë kёngёtarё lirikë, si: Marije Kraja, Ibrahim Tukiqi, etj.; këngëtarë, si: Shyqyri Alushi, Florinda Gjergji, File Gjeloshi, Xhevdet Hafizi, Naile Hoxha, Luçije Miloti, Bik Ndoja; këngëtarë më të rinj, si: Adnan Bala, Mukadez Çanga, Valdete Hoxha, Enriketa Kuqani, Myfaret Laze, Bujar Qamili, Sabaete Vishnja, Violeta Zefi, etj. (Zadeja, Daija 2000:4). Ndërkohë, një brez tjetër, ende më i ri interpretuesish të këngës tradicionale qytetare shkodrane, është duke u njohur përherë e më tepër.
Origjina
Stili muzikor i qytetit të Shkodrës, nga pikëpamja e sistemit modal/tonal, në përgjithësi, nuk ndryshon nga stilet muzikorë të zonave etnografike fshatare, afër ose larg qytetit. Në të vërtetë, sistemi modal/tonal është i përbashkët për të dyja llojet e stileve muzikorë. Nëse krahasojmë, p.sh., këngë ose valle të kënduara të dasmës qytetare shkodrane me këngë fshatare të Malësisë së Madhe, s’është vështirë që të shihen modet e përbashkët diatonikë të tyre. Po kështu, nëse krahasojmë, p.sh., këngë të ahengut qytetar shkodran me këngë fshatare të Malësisë së Madhe, është e lehtë që të shihen modet e përbashkët kromatikë të tyre. Nënvizoj se, në përgjithësi, gjinia modale/tonale kromatike s’është e panjohur për muzikën tradicionale gege. Po ashtu, si sekonda e vogël, ashtu edhe sekonda e zmadhuar, së bashku me tetrakordin ose makamin e tipit HICAZ, vërehen jo rrallë në sistemin modal/tonal të saj. Përfundimi atëherë është i qartë: Nga pikëpamja e sistemit modal/tonal, muzika tradicionale qytetare shkodrane afron me muzikën tradicionale të zonave etnografike fshatare, afër ose larg qytetit. Një fakt i tillë nënkupton origjinën, zanafillën, prejardhjen vendase të saj.
Bashkëveprim muzikor
Stili muzikor i qytetit të Shkodrës ka rrezatuar në muzikën tradicionale të mjaft qyteteve të tjerë të Shqipërisë: në muzikën e qyteteve të Shqipërisë së Mesme (Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan) dhe të disa qyteteve të Kosovës (Prizren, Gjakovë, Pejë), në muzikën e qytetit të Beratit, etj. Ndërkohë, ai ka përthithur elementë melodiko-modale të muzikës së këtyre qyteteve. Vetëm se, përthithja e elementeve të tillë, është bërë gjithmonë në mënyrë krijuese. Prandaj muzika qytetare shkodrane shquhet vazhdimisht për origjinalitet, individualitet, papërsëritshmëri, ose, që të mund të përdor një koncept tjetër, për magji vetiake.
Duke jetuar në të njëjtin mjedis ekonomiko-shoqëror dhe duke u përdorur brenda të njëjtëve rite të jetës së qytetit, s’duhet dyshuar aspak se, grupimet kryesorë të stilit muzikor të qytetit të Shkodrës–këngët ose vallet e kënduara të dasmës qytetare shkodrane dhe këngët e ahengut qytetar shkodran–kanë bashkëvepruar midis tyre. Si shprehje kuptimplote të këtij procesi vë në dukje fakte tashmë të qartë: Së pari, pjesa dërmuese e këngëve ose valleve të kënduara të dasmës qytetare shkodrane ka të njëjtin sistem modal/tonal (diatonik), sikurse gati gjysma e këngëve të ahengut qytetar shkodran. Së dyti, përsa i takon sistemit modal/tonal, vërehen tipare të tjerë të përbashkët, si: prania e Gradës VII nën notën themelore të modit, shkapërcime në intervalin e sekstës së madhe, kadencime finale herë-herë të njëjta, etj. Së treti, ka shumë mundësi që këngët e ahengut qytetar shkodran me sistem modal/tonal diatonik të jenë ndikuar pikërisht nga këngët ose vallet e kënduara të dasmës qytetare shkodrane me të njëjtën sistem modal/tonal. Ndërkohë, po aq shumë mundësi ka që, nga ana e tyre, edhe këngët ose vallet e kënduara të dasmës qytetare shkodrane me sistem modal/tonal kromatik të jenë ndikuar pikërisht nga këngët e ahengut qytetar shkodran me të njëjtën sistem modal/tonal. Së katërti, historikisht, më të lashta duhet të jenë këngët ose vallet e kënduara të dasmës qytetare shkodrane me sistem modal/tonal diatonik. Brenda këtij grupimi, historikisht, këngët ose vallet e kënduara me sistem modal/tonal kromatik duhet të kenë lindur më vonë, pikërisht atëherë kur dolën në dritë këngë të ahengut me të njëjtin sistem modal/tonal. Nga pikëpmja historike, krijimet e ahengut, qoftë ata me sistem modal/tonal diatonik, qoftë ata me sistem modal/tonal kromatik, duhet të kenë lindur në të njëjtën kohë.
Qartësim: në vend të polemikës
Mendimi sipas të cilit grupimet kryesorë të stilit muzikor të qytetit të Shkodrës–këngët ose vallet e kënduara të dasmës qytetare shkodrane dhe këngët e ahengut qytetar shkodran–, me përjashtim të metrave/ritmeve të përzier dymbëdhjetë-njësish (12/8, 12/4), s’kanë asnjë tipar tjetër të përbashkët midis tyre, më duket disi i absolutizuar, ose shumë i absolutizuar. Duke vëzhguar aspektin metrik/ritmik të tyre, bëhet e qartë se ekzistojnë edhe tipare të tjerë të përbashkët, si: përdorimi i dendur i metrave/ritmeve të thjeshtë dy-njësish (2/8, 2/4), përdorimi i metrave/ritmeve të përzier pesë-njësish (5/8, 5/4), nëntë-njësish (9/8, 9/4), etj. Në të vërtetë, grupimet kryesorë të stilit muzikor të qytetit të Shkodrës–këngët ose vallet e kënduara të dasmës qytetare shkodrane dhe këngët e ahengut qytetar shkodran–dallojnë midis tyre, në radhë të parë, përsa i takon sistemit modal/tonal: grupimi i parë ndërtohet kryesisht në mode diatonikë, kurse grupimi i dytë–, si në mode diatonikë, ashtu edhe në mode kromatikë. (Aspekti metrik/ritmik vjen vetëm në plan të dytë.)
Megjithse përfaqësojnë shtresime artistiko-kulturore të ndryshëm, gupimet kryesorë të muzikës tradicionale qytetare shkodrane–këngët ose vallet e kënduara të dasmës qytetare shkodrane dhe këngët e ahengut qytetar shkodran–sërish ruajnë afri midis tyre, qoftë në plan modal/tonal, qoftë në rrafsh metrik/ritmik, etj. Ata janë produkt artistik i të njëjtit mjedis ekonomiko-shoqëror, i së njëjtës atmosferë qytetare, i personaliteteve të njëjtë: letrarë, muzikorë, krijues. Universi artistik që me një nocion të vetëm quhet muzika tradicionale qytetare shkodrane nënkupton të dy grupimet kryesorë të tij. S’ka dyshim se, ky lloj universi, ruan një natyrë të vështirë, komplekse, shumë-dimensionale.
Përfundime
Midis tipareve themelorë dallues të stilit muzikor të qytetit të Shkodrës, lejomëni të vë në dukje vetëm disa prej tyre: 1) përbërja, në shumicën rasteve, nga një linjë melodike, përsa i takon strukturës së përgjithshme, ose sasisë së linjave melodike, çka nënkupton edhe të interpretuarit, zakonisht, nga një këngëtar ose instrumentist i vetëm, individualisht, solistikisht; 2) melodika arioze, muzikale, e këndueshme; 3) sistemi modal/tonal herë diatonik, herë kromatik; 4) metrika/ritmika herë-herë e matur, e qartë, e përcaktuar, herë-herë e pamatur, e paqartë, e lirë, ose kapriçoze, delikate, e stërholluar; 5) herë-herë mos-shoqërimi me instrumente muzikorë, herë-herë shoqërimi me instrumente muzikorë modernë (klarinetë, violinë, kontrabas, llautë, kitarë akustike, fizarmonikë, piano, dajre, etj.).
Përsa i takon përfytyrës tërësore melodiko-modale, stili muzikor i qytetit të Shkodrës, në rrafsh të përgjithshëm, dallon në krahasim me stile muzikorë të qyteteve të tjerë të Shqipërisë. Por, natyrisht, ndryshimet janë relativë: disi më pak, ose disi më shumë, të shquar. Duke e krahasuar atë me stilin muzikor të qyteteve të Shqipërisë së Mesme (Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan) dhe të disa qyteteve të Kosovës (Prizren, Gjakovë, Pejë), nga pikëpamja e sistemit modal/tonal, në përgjithësi, ai është disi më pak kromatik. Ndërkohë, duke e krahasuar atë me stilin muzikor të qytetit të Beratit, në përgjithësi, ai shfaqet disi më shumë kromatik.
Shkodra! Shkodra! Shkodra! Vendlindja e një numri poetësh, shkrimtarësh e kompozitorësh të mëdhenj shqiptarë; vatër e përhershme diturie; mjedisi i kishës katolike, institucionit që e zhvilloi artin muzikor qysh në shekujt e Mesjetës (afërsisht, periudha midis shekullit V dhe shekullit XV të Erës Sonë), edhe atëherë kur mungonin shkolla muzike, konservatorë e universitete; qytet vazhdimisht i shquar për artin dhe kulturën e tij, etj., Shkodra i ka dhënë Shqipërisë edhe muzikën e saj qytetare, e cila është, pa dyshim, avant-garda e muzikës tradicionale qytetare shqiptare. /Telegrafi/