Muzika tallava njihet si refren stereotip i një melodie e cila dihet se kur fillon, por nuk dihet se kur përfundon. Të paktën nga ata që e dëgjojnë. Mbase ai i cili këndon këtë lloj muzike mund ta dijë fundin e saj. Por, kjo mbase s’ka rëndësi. Relevant është motivi i cili çon deri te kjo lloj muzike. E, ky motiv padyshim është përfitimi personal, në disa raste grupor.
Fatkeqësisht e njëjta gjë është duke ndodhë edhe në politikë. Vetëm se për dallim nga muzika tallava ku këngëtari i përshtatet kërkesave të audiencës shkaku i përfitimit material, e ku në të njëjtën kohë bëhet edhe më i popullarizuar, në politikë këngëtarët (politikanët) “këndojnë” e punojnë përveç për interesa personale edhe për rritjen e ndikimit të tyre në shoqëri, respektivisht vendimmarrje.
E përbashkëta e këngëtarit dhe politikanit sot është ngarendja për të zënë sa më shumë pika. Sa më shumë pozicione. Këngëtari është shumë i angazhuar se si të rezervojë sa më shumë dasma, derisa politikani është i preokupuar se si t’i fus hundët nëpër secilin organizim.
Një kritik objektiv mund të thotë se të dy këto aktivitete janë legjitime. Madje, ashtu edhe është. Mirëpo, shtrohet pyetja se sa i ndihmojmë shoqërisë me këso lloj angazhimesh të cilat fundi i fundit nuk bazohen në vlera të shëndosha shoqërore, por në lakmi për para dhe pushtet.
Në dimensionin politik tendenca e politikanit për performancën dhe aktualitetin e tij shpeshherë është kontraproduktive. Sikurse në muzikë tallava. Sepse edhe këngëtari që këndon tallava, edhe politikani që bën politik tallava, thonë diçka duke mos thënë asgjë. Thonë diçka duke ia fut kot. E, mbase thonë diçka që është në kundërshtim flagrant me konceptin politik (vlerat e muzikës) që e përfaqëson.
Në planin praktik kjo me të vërtetë është për keqardhje. Përfaqësimi politik i qytetarëve për mendimin tim është joadekuat, jopolitik e hiç profesional.
Përfaqësimi politik në Viti përnjëmend është tallava. U bën gati katër muaj të fillimit të pushtetit të ri në Viti dhe pothuajse të gjitha partitë politike janë inekzistente. Aktiviteti i tyre i mangët në shërbim të ofrimit të politikave cilësore, qytetarit të komunës së Vitisë i servon një sintezë politike mjeruese.
Analiza e kësaj sinteze na tregon për një PDK e cila është në kërkim të një identiteti të ri politik. Kjo parti, së cilës i takoj edhe unë, nuk është aspak proaktive në kuptimin e një opozite serioze në Viti. AAK si gjithmonë kurrë nuk ka qenë e gatshme për ta ngritur zërin, ndërsa VV përmes një komunikate diletante për media akuzoi kryetarin aktual se po i bën konferencat për media pa simbolet shtetërore. Kjo mbase mund të tingllojë interesante por është e vërtetë. VV e cila jo që nuk i ka njohur simbolet shtetërore të Kosovës, por i ka luftuar ato, kërkon nga institucionet komunale që t’i përdorin ato. Çudi apo jo?
Kjo ndodh kur liderët emërohen nga lartë e kurrë nuk zgjidhen nga poshtë. Nuk është mençuri e as trimëri të thuhet se kryetarët e katër subjekteve më të mëdha në Viti nuk janë kryetarë të zgjedhur nga poshtë, nga baza, nga strukturat e partiake, por janë të emëruar nga lartë, nga kryetarët e partive politike respektive në nivel qendror. Për rrjedhojë kemi demagogji politike, politika diletante, performancë inekzistente, mungesë të alternativës e çka jo tjetër.
Kjo është tallava politika jonë.