Telegrafi

‘Muzika më mban gjallë’ – Ozzy është duke punuar në albumin e ri

(Foto: Instagram/ozzyosbourne)

Përmes një fotografie të publikuar në rrjetet sociale, Ozzy Osbourne i ka konfirmuar kështu spekulimet se është duke punuar në realizimin e këngëve të reja.

Ish-frontmeni i “Black Sabbath” ka publikuar 12 albume solo në karrierën e tij, ndërsa albumi i tij i fundit, “Ordinary Man”, u publikua vitin e kaluar.

Ky album u lansua nga Epic Records, kurse të ftuar në të ishin emra, si Elton John dhe Post Malone.

Lajmi se Osbourne po përgatit një album të ri u bë i ditur nga gruaja e tij, Sharon, e cila njoftoi se burri i saj u takua me producentin Andrew Watt, me të cilin ka punuar edhe në albumin e fundit.

Fansat do të jenë në gjendje t’i dëgjojnë këngët e reja në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm.

“Kam bërë 15 këngë”, kishte treguar Ozzy për Metal Hammer në muajin maj duke folur kështu për përparimin e albumit.

“Më mban gjallë, e dini. Dy vitet e fundit, kam qenë në një gjendje të tmerrshme midis një aksidenti (rrëzimi në shtëpi që e lëndoi rëndë) dhe më pas një pandemie. Kjo më mban të shëndoshë. Kisha nevojë për muzikë”, ka theksuar Osbourne. /Telegrafi/