Site icon Telegrafi

Muzeu i Nënës Terezë në Prizren me dyer të mbyllura, pret konceptin për mënyrën e funksionalizimit  

Muzeu i Nënës Terezë në Prizren vazhdon që t’i ketë dyert e mbyllura për publikun, ani pse dy vjet më parë, me pjesëmarrjen e autoriteteve shtetërore, në të qe hapur ekspozita dedikuar jetës së Anjezë Gonxhe Bojaxhiut.

Pjesëtarët e komunitetit kanë kërkuar përshpejtimin e hapave drejt funksionalizimit të këtij muzeu.

Këshilltari nga radhët e Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës, që është pjesë e grupit të kuvendarëve të LDK-së, Marin Përgjoka ka vlerësuar se qëndrimi mbyllur i kësaj ndërtese në radhë të parë është humbje për turizmin e qytetit.

“Konsideroj që mos funksionalizimi i muzeut të Nënë Terezës është një humbje e madhe, sidomos në pjesën e turizmit për Komunën e Prizrenit, edhe pse si ide dhe iniciativë  është dhënë shumë kohë më përpara dikund afërisht 20 vjet më parë, në vitin 2004 nëse nuk gaboj me vit, nga strukturat e shoqatës humanitare bamirëse “Nëna Terezë” dega në Prizren”, ka thënë Përgjoka për Telegrafin.

Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Sipas tij, projekti një kohë është iniciuar nga Komuna e Prizrenit, e cila pastaj ia ka bartur MKRS-së këtë përgjegjësi, dhe realizimi i punimeve ka zgjatur me vite të tëra.

“Përveç asaj edhe koha pasi që është përfunduar dhe është inauguruar në shtatorin e vitit 2022, ende, pra ka mbi dy vjet që ai muze nuk është funksionalizuar. Thuhet mungon Ligji mbi muzetë në Kosovë. Megjithatë mund të ketë modalitete për funksionalizimin e tij, të jepet në shfrytëzim apo menaxhim të përkohshëm qoftë të Drejtorisë së Kulturës, qoftë organizatave që merren me promovimin e sensibilizimin e njerëzve që të jetësojnë edhe sot veprat që i ka bërë Nëna Terezë në kohë kur ka jetuar sic është humanizmi, dashuria, në qytetin tonë”, është shprehur Përgjoka.

Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Në anën tjetër zëdhënësja e Komunës së Prizrenit, Jona Hoxhaj ka theksuar se koncepti për mënyrën e funksionalizimit të këtij Muzeu po përgatitet dhe se së shpejti i njëjti do të funksionalizohet.

“Sa i përket çështjes së Muzeut të Nënës Terezë ne tashmë kemi nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit trepalësh në mes të Komunës së Prizrenit, MKRS-së dhe organizatës Cultural Heritage without Borders, të cilët janë duke e përgatitur një koncept për mënyrën e funksionalizimit të kësaj qendre, sepse është qendër nuk është vetëm muze, dhe ka hapësira si qendër kulturore. Pas përfundimit të këtij koncepti dhe dorëzimit të këtij koncepti tek ne do të bëhet shpallja publike që organizatat mund të aplikojnë për menaxhimin e saj. Kështu që jemi në punë e sipër dhe së shpejti dhe ky muze do të funksionalizohet”, ka deklaruar Hoxhaj për Telegrafin.

Historia e ndërtimit të këtij Muzeu është e gjatë, pasi projekti i kontraktuar në vitin 2010 nga MKRS-ja me raporte zyrtare kishte përfunduar në vitin 2012. Tek në mesin e vitit 2014 ishte dhënë drita e gjelbër për pranimin teknik të objektit, por përkundër kësaj Muzeu nuk ishte funksionalizuar.

Ekspozita dedikuar jetës dhe veprës së Nënës Terezë në Prizren është hapur me 5 shtator 2022, në 25-vjetorin e kalimit në amshim të saj. Mirëpo dyert e Muzeut ende vazhdojnë që të jenë të mbyllura për publikun.

Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Nënë Tereza është bërë simbol i humanizmit në botë si pasojë e angazhimit të gjatë në shërbim të sëmurëve e të varfërve. Ishte fituese e çmimit Nobel për Paqe dhe vite më vonë u shenjtërua nga Vatikani. Ajo ndërroi jetë më 5 shtator të vitit 1997 në Kalkutë të Indisë.

Ndërtesa e Muzeut të Nënë Terezës gjendet afër Katedrales së Zojës Ndihmëtare në Prizren, në lagjen ku dikur kishin jetuar të parët e Gonxhe Bojaxhiut. /Telegrafi/

Exit mobile version