Shqipëria dhe Kosova u bënë bashkë sot në përkujtim të 110-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë në Vlorë.
Dy presidentët, Bajram Begaj dhe Vjosa Osmani, shoqëruar nga dy krerët e kuvendeve, Lindita Nikolla dhe Glauk Konjufca, si dhe kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti vizituan ambientet ku do të ngrihet muzeu “Kosova”, në Vlorë, i cili do t’i dedikohet i tëri luftës së UÇK-së.
Muzeu “Kosova” është ngritur në “Sheshin e Flamurit” dhe historia në të do të nisë me “Lidhjen e Prizrenit” e deri në kohët e sotme.
Më pas autoritetet e larta u përshëndetën nga banda frymore e ushtrisë.
Vizita vjen në kuadër të festimeve për Pavarësinë. Paradite në Vlorë aty ku ku më 28 nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin shqiptar duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur, u mbajt ceremonia e ngritjes së flamurit me rastin e 110 vjetorit të Pavarësisë.
Kjo ceremoni ka bërë bashkë drejtuesit më të lartë të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës. /Telegrafi/