Site icon Telegrafi

Muzeu historik i Shkodrës prezanton koleksionin e armëve të vjetra të shekullit 18-të

Muzeu historik i Shkodrës ka prezantuar për herë të parë për publikun koleksionin e armëve të vjetra që datojnë që në shekullin e 18-të

12 nga këto armë zjarri të veçanta në llojin e tyre u ekspozuan në ambientet e muzeut duke nxitur interes të shumtë tek qytetarët.

“Këto janë një pjesë e rëndësishme e dokumentimit të qëndresës shqiptare në shekuj, të përpjekjeve tona për liri dhe pavarësi,” – u shpreh Sokol Parmeza, përgjegjës për muzeun.

Këto armë ekspozohen për herë të parë që prej vitit 1990. Ato shquhen për elementët zbukurues dhe bartin histori. Mes tyre qëndron e ekspozuar edhe arma e tipit hutë e Ali Pashë Gucisë, e zbukuruar me fildish dhe argjend në Shkodër.

“Janë armë relike, është një numër prej 30 objektesh, 18 janë armë të ftohta, pra shpata ose jatagana kurse të tjerat janë armë zjarri. 12 janë armë zjarri industriale, por janë dhe artizanale. Ato që janë artizanale janë të gjitha të prodhuara në Shqipëri dhe i përkasin intervalit kohor nga 1750-1850,” – tha studiuesi Ndriçim Mlika.

“Jo veçse armë, por janë edhe vepra të mirëfillta dekorative dhe të zbukurimit. Po të shohim pjesën funksionale është njëra anë ndërsa pjesa tjetër është artistike. Te pjesa artistike kemi shtresa të ndryshme dhe teknika të ndryshme të punimit të cilat u zbuluan gjatë etapave të restaurimit dhe të konservimit,” – u shpreh specialisti Petrit Bilali.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 29 nëntor.

Exit mobile version