Site icon Telegrafi

“Muxhahedinët” e Ballkanit

Nga rreth 100 mijë rebelë opozitarë që luftojnë kundër Assadit, gati një në 10 mes tyre vjen nga jashtë Sirisë, nga një prej 75 vendeve që janë origjinë e tyre.

Numri i atyre që vijnë nga Evropa Perëndimore, veçanërisht vendet ballkanike, gati është trefishuar që nga pranvera e vitit 2013.

Këta “xhihadisë evropianë” nuk do të jenë në agjendën e Konferencës së Gjenevës, e iniciuar me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje politike për konfliktin në Siri, por vështirë se ata mund të shmangen si një çështje diskutimi gjatë zhvillimit të saj.

Nëse konferenca do t’i japë fund luftës siriane, çka duket gati e pamundur, atëherë kthimi në shtëpi i këtyre të rinjve, mund të bëhet një çështje shumë më e rëndësishme sesa aventura e tyre në “luftën e shenjtë” kundër Bashar Al-Assadit të pafe.

Sa kohë që muxhahedinët e huaj luftonin në vijat e të “moderuarës”, Ushtri e Lirë Siriane, atyre u ishte dhënë, ndonëse jo me shumë dëshirë, një dritë jeshile nga qeveritë perëndimore.

Gjithsesi, kur një pjesë e madhe e tyre, iu bashkuan Jabhat al-Nusra-s, Shtetit Islamik të Irakut, Al-Shamit dhe grupeve të tjera më të vogla militante që janë të lidhura me Al-Qaeda-n, kjo shërbeu si një kambanë alarmi për agjencitë perëndimore të inteligjencës.

Në të njëjtën kohë, konsultimet dhe konsiderimet për masat që duhen marrë për parandalimin e kthimit të tyre në shtëpi, kanë nisur të zhvillohen në kryeqytetet evropiane.

E përditshmja britanike “The Independent” raportonte në muajin dhjetor se kërcënimi terrorist për Evropën dhe SHBA-të nga ana e “luftëtarëve xhihadistë” të Sirisë, po rritet shumë shpejt.

“The Strategic Culture Foundation”, një revistë online, mësoi se MI5 dhe Scotland Yard kanë gjurmuar rastin e parë të rebelëve që janë dërguar nga Siria në Londër me synim, realizimin aty, të sulmeve terroriste, “atëherë kur do të jetë e nevojshme”.

Sipas shërbimit sekret amerikan dhe zyrtarëve të kundërzbulimit, nga frika e trajnimeve dhe indoktrinimit ekstremist, FBI-ja ka nisur një survejimi 24 orë në 24 për rreth 70 amerikanë, të cilët ose kanë udhëtuar në Siri, ose janë përpjekur që të shkojnë atje në këto tre vitet e fundit.

Zyrtarë nga disa vende të BE-së, si Britania e Madhe, Franca, Holanda dhe Belgjika kanë bërë tanimë të ditur se xhihadistët mund të humbasin shumë nga të drejtat e tyre, deri edhe nënshtetësinë, nëse ata tentojnë të kthehen në shtëpi. “Kështu ata do të jenë të detyruar të mbeten në limbo në rrugët e tyre të transitit”, shkroi dikush së fundmi.

E kam harruar se kush e ka thënë këtë, por jam i bindur me atë “limbo” nënkuptohej Ballkani. Do t’i ndaja të gjitha këto zona mes Sirisë dhe SHBA-ve, përmes të cilave po penetrojnë -më shumë ilegalisht sesa legalisht- në rrugën e tyre drejt, apo në kthimin nga fronti sirian, në tre rajone: Turqia, Evropa Juglindore dhe Perëndimi Evropian.

Përveç pasojave të mëdha politike dhe ato të sigurisë, apo edhe barrës shumë të rëndë ekonomike, të shkaktuar nga mijëra refugjatë të ardhur nga Siria, e shkatërruar nga lufta, Turqia duhet të përballet me problemin shtesë të rebelëve të huaj, që përdorin territorin dhe kufijtë relativisht të pambuluar të saj, si një rrugë transiti.

Turqia ka depërtuar qytetarë evropianë të lidhur me grupet islamike, të cilët shkonin në Siri, por ende “Ankaraja akuzohet për mbylljen e njërit sy ndaj radikalëve islamikë që luftojnë për të përmbysur presidentin sirian Bashar al-Assad”, shprehet Semih Idiz, kolumnist për çështjet diplomatike në të përditshmen “Taraf”.

Marrëveshja e nënshkruar dhjetorin e kaluar me BE-në, mbi refugjatët dhe emigrantët ilegalë, mendohet se do ta ndihmojë Turqinë që të shmangë akuza të kësaj natyre. Vendet anëtare të BE-së mund të zgjidhin më lehtë problemin e të kthyerve nga xhihadi në Siri, përmes kontrolleve më strikte në kufijtë lindorë të unionit dhe të Mesdheut, duke mos i lejuar ata që të kthehen dhe duke bashkërenduar përpjekjet në gjurmimin e atyre që eventualisht ia dalin të kthehen. Gjithsesi, vendet e pozicionuara mes Turqisë dhe Evropës Perëndimore kanë që tani – dhe do të kenë edhe më shumë në të ardhmen – problemet më të mëdha me muxhahedinët e tyre.

Ky është emri i përbashkët për rreth 3000 sllavë etnikë në Ballkan, ndjekës të sekteve vahabiste dhe salafiste, të cilët i bashkohen një lufte xhihadiste, si në rastin e Sirisë. Ka një arsye, së pari praktike, se përse shumica e tyre shkojnë në Siri dhe mandej kthehen në shtëpi: ata nuk kanë nevojë për viza hyrjeje në Turqi.

Deri edhe ata që shkojnë në Siri nga Evropa Perëndimore shpesh do të vendosen në një nga vendet ballkanike, më parë sesa të humbasin shtetësinë e BEsë. Me t’u kthyer në shtëpi, ata vazhdojnë në të njëjtin shteg të radikalizmit dhe indoktrinimit të të rinjve, duke i rekrutuar ata që të shkojnë në Siri, apo duke i përgatitur për xhihadin e radhës.

Kriza e vazhdueshme ekonomike në Ballkan dhe papunësia prej gati 20 për qind në shumicën e vendeve të rajonit, kanë kontribuar në radikalizmin e rinisë, por indoktrinomi fetar është motivi kryesor që ata vendosin t’i bashkohen “brigadave internacionale”, sot në Siri dhe diku tjetër nesër.

Disa shtete në Ballkan kanë filluar të marrin masa ligjore për të parandaluar të rinjtë që të shkojnë në vende që janë në gjendje lufte. Së fundmi, ligji në Maqedoni u ndalon qytetarëve që të marrin pjesë në grupe të huaja paraushtarake dhe nëse provohet se dikush prej tyre ka luftuar në Siri p.sh, ata mund të përballen me gjyqin.

Në Serbi një draft amendimesh në kodin penal, parashikon pesë vjet burgim për rekrutimin e adoleshentëve për fushatat ushtarake të lëvizjes ekstremiste islamike Wahabbi dhe tre vjet burgim për ata të rinj që i bashkohen luftës.

Zëvendëskryeministri serb Rasim Lajiq, vetë një mysliman, ishte ai që propozoi këto amendamente dhe një nismë të ngjashme, që parashikon sanksione për pjesëmarrje në forcat paraushtarake, u vu në lëvizje në Sarajevë nga Fahrudin Radonçiq, ministri boshnjak i Sigurisë.

Të dy ministrat, gjithsesi e panë veten të bëheshin shënjestër e sulmeve serioze nga Mirza Ganiq (një 19-vjeçar i vrarë së fundmi në Siri dhe i shpallur martir). Ai postoi fotografi të ministrave në profilin e tij në Facebook shoqëruar me shënimin: “Prostituta të Perëndimit”.

“Këta janë tradhtarë të Islamit dhe djaj, njerëz që kërkojnë të ndalojnë atë që Allahu ka urdhëruar, pra, ata kërkojnë të miratojnë ligje që do të ndalojnë pjesëmarrjen në Xhihad. Ata do të donin që ne të rrimë ndërkohë që Ummeti(populli mysliman) po gjakoset. Kjo nuk ka për të ndodhur…”, vijon Ganiç, i cili u shfaq në Facebook për herë të fundit më 4 janar. Kjo ishte ndoshta dita kur ai u përgjak për vdekje për kauzën e përbashkët të shokëve të tij.

Ai ishte zëvendës i Bajro Ikanoviq, një tjetër “muxhahedin” boshnjak, i cili është dënuar për terrorizëm. Ai ishte komandant i një prej formacioneve paraushtarake më ekstremiste në Siri nën kontrollin e Al-Qaedas.

Agresioni kundër Bosnje-Hercegovinës në 1992-1995 ishte një motiv origjinal për shfaqjen e muxhahedinëve në Ballkan dhe njohjen e të rinjve myslimanë boshnjakë me krahun Wahabbi-Salafi të Islamit.

Ata kanë qenë më parë në Afganistan dhe Republikën Çeçene, më vonë në Irak dhe sot ata janë në Siri. Kudo ku shfaqen ata nxisin tensione dhe konfrontime me komunitetet e tjera fetare dhe kërcënojnë se do të çrrënjosin “tradhtarët dhe djajtë e islamit”…

Do të ishte mirë nëse rekrutimet e mëtejshme të rinisë në Ballkan, të mund të parandalohej me mjete ligjore apo të tjetra, por duke patur parasysh Ikanoviqin dhe muxhahedinë të tjerë si ai, do të ishte më mirë nëse ata shkojnë diku tjetër sesa në Bosnje apo në Ballkan pas përfundimit eventual, por gjithsesi gati të pamundur të luftës në Siri.

(Përktheu: Skerdilajd Zaimi. Marrë nga: Shekulli. Autori Hajrudin Somun është ish-ambasador i Bosnjës në Turqi)

 

Exit mobile version