Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka uruar presidentit e ri të 45-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Mustafa përmes një postimi në Facebook ka shkruar se është i bindur se Trump me lidershipin e tij, do përkrahë Kosovën në anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe rrumbullakimin e të gjitha elementeve të shtetësisë.
Postimi i plotë:
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës e përgëzoj Presidentin e posa inauguruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, duke i uruar gjithë të mirat dhe suksese.
Roli i presidentëve amerikanë ka qenë vital për Kosovën dhe qytetarët e saj, gjatë tri dekadave të fundit.
Presidenti George H. W. Bush, në vitet ’90, i vuri Vijën e Kuqe regjimit kriminal të Millosheviqit për Kosovën.
Gjatë presidencës së Presidentit Bill Clinton, Kosova u çlirua.
Presidenti George W. Bush dha kontribut esencial për pavarësimin e Kosovës.
Administrata e Presidentit Obama, nën kujdesin e veçantë të zëvendëspresidentit Biden, e kishte në vëmendje të politikës së jashtme Kosovën.
Jam plotësisht i bindur se Presidenti Trump me lidershipin e tij, do përkrahë Kosovën në anëtarësimin në Kombet e Bashkuara dhe rrumbullakimin e të gjitha elementeve të shtetësisë.
Qeveria dhe populli i Kosovës janë jetësisht të përkushtuar për partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke e bartur me krenari epitetin e “popullit më proamerikan në glob”.
Congratulations Mr. President Donald J. Trump!(sic.) /Telegrafi/