Site icon Telegrafi

Mustafa uron qytetarët për Vitin e Ri, kërkon përkushtim nga elektorati i LDK-së

Me rastin e Festës së Vitit të Ri, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka uruar qytetarët e Kosovës.

Mustafa ka kujtuar se viti që po lëmë pas ishte i vështirë për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

“Viti që po e lëmë pas ishte një vit i rëndë për të gjithë ne, kohë krize e pandemisë globale Covid-19 e cila kaploi edhe Kosovën. Ky vit që po përfundon sonte, është periudha më e vështirë sociale, ekonomike e psikologjike për shtetin dhe qytetarët tonë, ngase pandemia bëri që vendi të izolohej dhe shumë njerëz të mbesin pa punë”.

I pari i LDK-së ka kujtuar edhe përpjekjet e qeverisë së drejtuar nga LDK për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, nën qeverisjen e saj nga qershori, është zotuar dhe ka qëndruar afër qytetarëve dhe bizneseve të prekura nga ndikimi i koronavirusit, duke iu ndihmuar me Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike”, ka shkruar Mustafa derisa ka premtuar se në vitin 2021“do të jemi të bashkuar dhe unik, ngase vetëm kështu jemi më të fortë përballe sfidave që na presin”

Mustafa ka folur edhe për zgjedhjet e reja parlamentare që do të mbahen në vitin 2021 dhe sfidat që e presin partinë në këtë proces.

“Qytetarë të nderuar, viti 2021 do të jetë shumë sfidues, zgjedhjet që po vijnë duhet të na gjejnë të përkushtuar si elektorat i LDK-së në mënyrë që të dalim sa më të fuqishëm në këtë proces zgjedhor.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë përherë e angazhuar për të mirën e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës, pavarësisht pozicionit politik si pozitë apo si opozitë, misioni ynë historik është i qartë, zhvillimi dhe konsolidimi i vendit tonë”, ka shkruar ndër të tjera Isa Mustafa./Telegrafi/

Exit mobile version