Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka uruar 12 vjetorin e pavarësisë.
Mustafa përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se sot kujtojmë shumë gjenerata që punuan dhe u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
“Pavarësia mishërohet edhe me kontributin e tyre ndërkaq Kosova frymëzohet të bëhet shtet i fortë, demokratik dhe i dashur për qytetarët e saj”, ka shkruar Mustafa.
Postimi i plotë:
Të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit ju uroj 17 Shkurtin, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë.
Kujtojmë sot shumë gjenerata që punuan dhe u flijuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. Arkitektin e pavarësisë, Presidentin Historik, Ibrahim Rugova, Komandantin e UÇK-së, Adem Jashari dhe shumë luftëtarë që u flijuan në altarin e lirisë. Vlerësojmë përpjekjet e pasluftës për ngritjen e institucioneve demokratike dhe përkrahjen e pareshtur të miqve tanë ndërkombëtarë, SHBA -së dhe BE-së. Pavarësia mishërohet edhe me kontributin e tyre ndërkaq Kosova frymëzohet të bëhet shtet i fortë, demokratik dhe i dashur për qytetarët e saj. /Telegrafi/