Site icon Telegrafi

Mustafa u takua me presidentin e NDI-së, Kenneth Wollack

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim presidentin e Institutit Demokratik Kombëtar (NDI) nga SHBA-të, Kenneth Wollack.

Gjatë takimit, u bisedua për zhvillimet politike e institucionale në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin e mëtejmë ndërmjet LDK-së dhe NDI-së.

Mustafa e njoftoi presidentin Wollack për proceset aktuale, për aktivitetet politike të LDK-së në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet lokale, për funksionimin e Grupit Parlamentar si dhe për vizionin e LDK-së për zhvillimet në shtetin e Kosovës.

Ndërsa, presidenti i NDI-së, Kenneth Wollack, vlerësoi përkushtimin e LDK-së për avancimin e proceseve demokratike në të gjitha fushat e jetës në Kosovë.

Ai, shprehu mbështetjen e NDI-së për LDK-në, për Grupin Parlamentar të saj në Kuvend si dhe për proceset tjera në Kosovë.

Presidenti i NDI-së, Kenneth Wollack, i ka përcjellur kryetarit Mustafa edhe përshëndetjet e ish-sekretares së Shtetit të SHBA-ve, mikes së madhe të Kosovës, Madeleine Albright./Telegrafi/

Exit mobile version