Kryeministri i vendit, Isa Mustafa përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar rreth sëmundje së vëllait të tij.
Ai ka shkruar se gjendja e vëllait të tij flet, duke shtuar se nuk ka kërcënuar as gazetarin Vehbi Kajtazin.
Postimi i plotë i Isa Mustafës:
“Media të nderuara
TV Klan sonte prezantoi një bisedë me vëllain tim, i cili siç kam theksuar, është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Për fat të keq, ai në këtë gjendje, për motive për mua të paqarta, u bë objekt për opinionin, shtytur nga portal Insajder.
Gjendja e tij flet, jo për kërcënimet e mia ndaj gazetarit, të cilat në asnjë rast nuk kanë ndodhë, por për kërcënim të ndërgjegjes së atyre që shkelën etikën gazetareske dhe cenuan një të drejtë elementare kushtetuese të njeriut, të drejtën e privatësisë.
Edhe përkundër dhembjes së madhe që ndjeva duke e parë vëllain tim në atë gjendje në ekranin e TV Klan, megjithatë e falënderoj këtë televizion për profesionalizmin e treguar.
Ndërkaq, po ua lë juve, mediave dhe drejtësisë, të vlerësoni se a është në lirinë e shtypit të atakohen njerëzit në një gjendje të tillë me të pavërteta; kush duhet të kërkoj falje dhe kush duhet të jap përgjegjësi para ligjit! Me respekt, Isa Mustafa” (sic), ka shkruar Mustafa.