Site icon Telegrafi

Mustafa: Të përkushtuar për zhvillimin e bujqësisë

Kryeministri Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, vizitoi Kompaninë Regjionale të Ujitjes “Radoniqi – Dukagjini”, në Gjakovë.

Gjatë takimit me drejtuesit e Kompanisë, kryeministri Mustafa u njoftua për punën dhe projektet e kësaj kompanie.

Më pas, Mustafa ka vizituar tokat bujqësore që ujiten nga ky sistem, ku është takuar edhe me fermerët e asaj ane. “Ne dolëm sot të vizitojmë sistemin e ujitjes Radoniqi, dhe pastaj të shohim efektet konkrete në terren. Jemi përcaktuar si Qeveri që t’i japim prioritet mbi prioritetet zhvillimit të bujqësisë dhe sektorit të bujqësisë në tërësi”, tha Mustafa.

Po ashtu ai vlerësoi efektet e sistemit të ujitjes në rreth 5 mijë hektarë të cilat i mbulon Radoniqi, duke shprehur besimin së do të gjenden zgjidhje edhe për problemet me arkëtimet lidhur me shpenzimin e ujit.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, theksoi se Qeveria e ka prioritet qendror zhvillimin e bujqësisë, e ka dyfishuar buxhetin për bujqësi dhe ka krijuar edhe skema të reja të subvencionimit të kulturave të reja, duke përmendur edhe perimet në fushë të hapur.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, lidhur me mundësitë e financimit të projekteve, tha se sot është diskutuar në detaje për projektin e zgjerimit të tokave bujqësore në ujitje. /Telegrafi/

Exit mobile version