Kryeministri Isa Mustafa, përmes një shkrimi në Facebook, ka bërë nj rezyme të javës të aktiviteteve të tij. Këtë javë ai e cilëson aktive dhe me shumë të arritura. Më poshtë mund të lexoni të plotë, postimin në profilin e tij në Facebook.
“Të dashur qytetarë,
Patëm një javë shumë domethënëse për Kosovën.
Festuam 28 Nëntorin, morëm njohjen shumë të rëndësishme nga Singapori, ratifikuam Marrëveshjen e IPA-s me BE-në që na mundëson tërheqjen e 78 milionë eurove, si dhe përkujtuam Presidentin Rugova në 72 vjetorin e lindjes.
Po ashtu, bashkë me dy ministra mora pjesë në përurimin e urës që lidh dy komunat veriore të Republikës së Kosovës. Përkundër propagandës agresive të Beogradit, ju them me kënaqësi se Republika e Kosovës me vendosmëri po e fuqizon subjektivitetin e saj shtetëror, në të gjitha aspektet.
Listës së gjatë të sukseseve në ekonomi, procese integruese e fusha të tjera, po i shtohen edhe të arritura konkrete në shtrirjen e sovranitetit dhe fuqizimin e shtetësisë.
Rrugën e Kosovës drejt të ardhmes nuk mund ta bllokoj askush dhe në këtë rrugë nuk mund të na vonojë askush. Këtë po e dëshmojmë në praktikë dhe në terren, dita e ditës!”, ka shkruar Mustafa.