Kryeministri Isa Mustafa, priti në takim Komandantin Suprem të NATO-s për Evropë, Gjeneralin Curtis M. Scaparrotti, të cilin e njoftoi për progresin në Kosovë dhe prioritetet e Qeverisë për zhvillim ekonomik, integrime euroatlantike si dhe fuqizimin e shtetit ligjor.
Mustafa foli edhe për fuqizimin e sektorit të sigurisë, si dhe përgatitjet e bëra për transformimin e FSK-së në Forcë të Armatosur të Kosovës.
Duke shprehur mirënjohjen e qytetarëve dhe të Qeverisë së Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të trupave të NATO-s, ai theksoi respektin dhe mbështetjen e madhe që KFOR-i gëzon te qytetarët e Kosovës.
Ndërsa, Scaparrotti tha se NATO është e përkushtuar në misionin e saj në Kosovë. Ai po ashtu shprehu vazhdimin e përkrahjes së NATO-s për Kosovën, duke përfshirë edhe trajnimin dhe avancimin e FSK-së si dhe aspekteve tjera që lidhen me sigurinë.
Scaparrotti ka folur edhe për rëndësinë që stabiliteti i Ballkanit Perëndimor ka për Evropën, dhe po ashtu ka theksuar rëndësinë e progresit në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit.