Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka pritur sot në një takim Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.
Mustafa dhe Meta kanë folur për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe çështjen e kufirit me Serbinë. Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka ripërsëritur se ndryshimi i kufijve është i papranueshëm dhe i rrezikshëm.
Postimi i plotë:
Sot kisha kënaqësinë të pres në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.
Presidentit Meta i prezantova pikëpamjet e LDK-së se dialogu ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë forma e vetme e normalizimit të raporteve, por se dialogu duhet të vazhdoj me institucione që kanë legjitimitet të konfirmuar nga zgjedhjet e parakohshme dhe të lira.
Po ashtu, i rikonfimova Presidentit Meta pozicionin e paluhatshëm të LDK-së se hapja e temës së ndryshimit të kufijve është e papranueshme dhe e rrezikshme, sepse kjo e rihapë temën e mbyllur me deklarimin e Pavarësisë dhe se diskutimi i kufijve është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Në këtë takim, po ashtu, shpreha falënderimin tim për Presidentin Meta për interesimin e tij të vazhdueshëm në procesin e rehabilitimit tim shëndetësor. /Telegrafi/