Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot anëtarët e Dhomës Kombëtare Tregtare, të cilët i kanë shprehur përkrahjen e tyre mbi fokusin e tij për agjendën qeverisëse e cila ka për qëllim zhvillimin e sektorit privat, por në të njëjtën kohë edhe shqetësimin e tyre mbi vështirësitë që sot bizneset ballafaqohen.
Në takim, siç njoftoi zyra e kryeministrit, kanë marrë pjesë përfaqësues të bizneseve nga të gjitha trojet shqiptare, edhe atë: Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, Ilir Zhila nga Unioni i Odave Ekonomike të Shqipërisë, Enver Ferizi nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, Menderes Kuqi nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, Nagip Arifi, Kryetar i Bujanovcit, Ragmi Mustafa Kryetar i Preshevës, Jakup Gjelisheviqi nga Klubi i Afaristëve të Tivarit dhe Selatin Gjeloshi nga Klubi i Biznesit nga Ana e Ulqinit.
Përfaqësuesit e bizneseve nga Shqipëria, sipas komunikatës, kanë inkurajuar kryeministrin që politikat të implementohen në fuqizimin e sektorit prodhues dhe bujqësi. Përfaqësuesit nga Mali i Zi dhe Maqedonia kanë vlerësuar klimën pozitive të bashkëpunimit në mes të bizneseve të tyre me Kosovën, ndërsa përfaqësuesit e Luginës së Preshevës përmendën vështirësitë me të cilat ballafaqohen bizneset e këtij rajoni.
Kryeministri Mustafa është shprehur falënderues ndaj përfaqësuesve të biznesit duke i inkurajuar ata që të rrisin bashkëpunimin. Ai ka theksuar se është me rëndësi që të identifikohen mënyrat për menaxhimin e problemeve që shfaqen ndërmjet bizneseve të këtyre rajoneve duke i lehtësuar ato me rregullativa dhe ligje.
“Kryeministri Isa Mustafa theksoi përkushtimin e tij në përmirësimin e kushteve të jetesës për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Kryeministri gjithashtu ripërsëriti rëndësinë që aktiviteti ekonomik në vend të nxitet dhe zhvillohet nga sektori privat”, thuhet në komunikatë.