Site icon Telegrafi

Mustafa: Stupcat imazh i Vala-s, skeçet nuk i sponsorizojmë

Drejtori Menaxhues i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, në një intervistë për RTK-në, përveç se ka folur për zhvillimet e fundit në këtë kompani, është përgjigjur edhe për kontratën që kanë me grupin e njohur të humoristëve Stupcat, pas debateve të fundit lidhur me skeçin që këta të fundit plasuan me rastin e festave.

Sipas tij, kontrata me Stupcat është komerciale. PTK përdorë imazhin e tyre për reklama, marketing etj etj, sikurse në të gjithë botën. Pagesa, kur hiqet TVSH, pasi ajo është e rikthyeshme, është diku rreth 207 mijë euro në vit.

Grupi Stupcat, më herët ishin imazh i Z-Mobile ndërsa nga kjo kompani janë paguar 150 mijë euro në vit. Në shkëmbim të kësaj shume për Z-Mobile Stupcat kanë pasur obligim kontraktuar të realizojnë 7 reklama, ndërsa për PTK-në nuk kanë asnjë kufizim.

Në më pak se 6 muaj, ata kanë realizuar mbi 15 reklama ndërsa brenda një viti numri i reklamave pritet të shkojë në 30 apo 60 për dy vite, disa herë më shumë se Z-Mobile.

Drejtori menaxhues Agron Mustafa, tha se në sajë të punës që është bërë këtë kohë në PTK, duke përfshirë edhe marketingun me Stupcat, është arritur që të rritet numri i klientëve.

“Duke u krahasuar me një vit më parë sot kemi rreth 50 mijë klientë apo numra më shumë. Është fryt i punës së përbashkët. Kemi arritur ta ndalim rënien rapide”, tha Mustafa, i cili në këtë pozitë është emëruar para 10 muajsh.

Ndërkaq, rreth kontratës me Stubcat, Mustafa është shprehur se me vite të tëra Telekomi i Kosovës apo Vala nuk ka pasur fytyra apo imazh të vetin me të cilin është identifikuar.

Në të kaluarën, sipas tij, ka pasur individ të ndryshëm që kanë realizuar apo kanë qenë në funksion të realizimit të reklamave për Valën, mirëpo nuk kanë pasur asnjë fytyrë me të cilën Vala është identifikuar. “Pra, kur I jam bashkangjitur Telekomit apo kam ardhur në Vala në shkurtin e vitit të kaluar në bazë të bisedave me stafin dhe veçanërisht me menagjmentin e marketingut menjëherë është paraqitur nevoja që të kemi dikë si fytyrë apo imazh i cili do të na prezantojë neve si Vala. Pas hulumtimeve dhe bisedave të shumta me stafin tonë të cilët kanë dal në terren për të biseduar me strukturat më të thjeshta të popullatës në vend ka rezultuar që Stupcat janë me të dashurit për popullatën”, ka thënë Mustafa duke shtuar se nga këtu ka lindur ideja që të fillojmë negociatat me ta dhe të arrijmë ndonjë marrëveshje me ta.

“Meqenëse në jemi kompani publike duhet t’i respektojmë procedurat të cilat janë të parapara me ligjin e prokurimit publik dhe në bazë të këtij ligji apo autoritetit përkatës, kanë filluar negociatat dhe në fund kemi arritur të kemi marrëveshje me ta që të jenë fytyrat apo imazhi I Valës apo Telekomit të Kosovës për dy vitet e ardhshme. Dhe këtu kemi parasysh se kemi një ekskluzivitet të fytyrës së Stupcave për valën në aspektin e moslejimit të tyre të bërjes së punës së njëjtë me ndonjë kompani e cila gjendet në industrinë e njëjtë. Nga kjo I bie që ne Stubcave nuk ua kemi ndaluar që ata të kenë aktivitete të tyre të pavarura nga Vala. Por ata e kanë të ndaluar të bëjnë reklama për ndonjë kompani e cila ofron shërbime të njëjta si kompania Vala”, tha ai.

Se a është sponsorizuar nga Vala skeçi I fundit i Stupcave, Mustafa ka thënë se jo. Kjo, pasi siç ka thënë Mustafa Telekomi i Kosovës ka kontratë komerciale me Stupcat. “Jo, skeçi I fundit nuk është sponsorizuar nga Vala. Vala ka kontratë komerciale me Stupcat, ajo është dy vjeçare dhe tashmë kanë kaluar 6 muaj. Kjo, është një kontratë e cila është njëra prej vendimeve më të mira strategjike që kemi bërë si Telekom”, ka thënë Mustafa.

Ai ka thënë se shifrat tregojnë që puna e bërë me Stupcat ka rezultuar pozitive. “Sot kemi 50 mijë numra më shumë se sa që ka pasur Vala vitin e kaluar. Mirëpo, të gjitha aktivitetet e tyre jashtë Vala-s janë të pavarura dhe nuk ndërlidhen me Valën. Pra, ne nuk kemi qenë sponsorizues të atij skeçi tashmë shumë të përfolur”, tha Mustafa. /Telegrafi/

Exit mobile version