Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi ka thënë se Gjykata Speciale duhet të mbyllë të gjitha të pavërtetat e prodhuara mbi lavdinë e luftës së UÇK-së.
Ai në një postim në Facebook ka shkruar se Gjykata Speciale është produkt i fushatës anti-UÇK dhe anti-shqiptare, porse e vërteta po vjen.
“E vërteta që po vjen…Gjykata Speciale duhet të mbyllë gjithë ato të pa vërtetat e prodhuara mbi lavdinë e luftës së UÇK-së, Kombi Shqiptar të marrë përsipër angazhime të reja racionale dhe zhvillimore… UÇK duke fituar përkrahjen me aleancën e NATO-s, prishi balancat politike strategjike për Ballkanin dhe më gjerë, ato politika i orientoi nga perëndimi duke u larguar nga blloku bolshevik dhe ai i lindjes”, tha ai.
Sipas Mustafës periudha pas çlirimit, po ashtu karakterizohet me veçantinë e luftës së ashpër të uzinave anti-shqiptare, nëpërmjet shërbimeve inteligjente të infiltruara në çdo cep të Kosovës.
“Sado të paralizuara, ato arritën të ngrenë kurthe, të prodhojnë propagandë anti UÇK, të shantazhojnë e mashtrojnë, e çka jo tjetër, me qëllim të rrënimit të amalgamës UÇK-NATO dhe në funksion të zhbërjes së lirisë së fituar me gjak”.
Ai thotë se ‘produktet e kësaj fushate anti-UÇK dhe anti-shqiptare në përgjithësi, janë evidente dhe më subtanciale, ndër to është vetë Gjykata Speciale, por ajo çfarë nuk arritën kurrë, është tendenca e pa kompromis për të zhbërë aleancën e shteteve mike e pro-demokratike, me pasuesit e UÇK-së dhe me shtetin e Kosovës.’
“Udhëheqësit e UÇK, padyshim do të hyjnë në analet e historisë si kulmi i përpjekjeve për të çliruar shqiptarët njëherë e mirë, por edhe si goditja më e fortë bolshevizmit dhe aleatëve të saj, duke fituar e mira mbi të ligën…”, ka shkruar Mustafa./Telegrafi/