Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka mohuar se iu është ndërprerë rruga nga serbët për të shkuar në ceremoninë e përurimit të urës që lidhë Zveçanin dhe Leposaviqin, duke thënë se kanë shkuar rrugës dhe nuk ua ka bllokuar askush, duke shtuar se ata kanë arritur me kohë.
Ai ka shtuar se ura mbi lumin Bistricë është një vepër shumë e rëndësishme sepse është investuar 400 mijë euro për ndërtimin e një ure e cila lidh Zveçanin me Leposaviqin.
“Ne ishim në inaugurim të urës e përfunduam atë dhe është një argument që neve askush nuk mund të na ndal të qarkullojmë në vendin tonë dhe t’i vizitojmë vendet tona”, tha Mustafa.
Ndryshe, KosovaPress ka qenë prezent në ceremoninë e inaugurimit të urës, e cila ishte paraparë të fillojë në ora 13:00, por që fillojë me 1 orë e dyzet minuta vonesë, për shkak se kryeministri Isa Mustafa është detyruar të përdorë rrugë alternative për të arritur në vendin e ngjarjes. Kjo për shkak se rrugën kryesore në fshatin Rudare, e kishin bllokuar rreth 100 serbë. Ndryshe, aty ka qëndruar edhe komandanti i KFOR-it, Giovanni Fungo për të cilin është liruar rruga.