Site icon Telegrafi

Mustafa rrëfen për sëmundjen e tij, falënderon ata që e mbështetën

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, ka treguar se tash e një vit po përballet me një sëmundje të rrallë, e njohur si Sindromi Gulian Barren.

Siç ka treguar Mustafa, pikërisht një vit më parë, derisa gjendej në fshat, ai kishte ndjerë se po humbte fuqinë e duarve dhe këmbëve, për çka edhe kishte shkuar për kontroll mjekësor në Spitalin Amerikan në Prishtinë, ku ishte diagnostikuar me Sindromin Gulian Barren.

Por për fatin e tij të mirë dhe mbështetjen, si nga mjekët, po ashtu edhe nga familjarët, bashkëpunëtorët edhe miqtë, Mustafa thotë se sot është në gjendje të shkruaj me duart e tij, për çka edhe ka shfrytëzuar rastin të falënderojë të gjithë, për mbështetjen.

Postimi i plotë i Mustafës në Facebook:

Miq të nderuar

Sot mbushet një vit i përballjes sime me rehabilitimin shëndetësor. Në mbrëmjen e 7 janarit 2018 sa isha në fshat ndjeva se po humbi fuqinë e duarve dhe këmbëve. Pas 24 orëve në Spitalin Amerikan, dr Blerim Myftiu identifikoi diagnozën e saktë, Sindromin Gulian Barren dhe shkroi terapinë e nevojshme. Në Gjermani ishin të habitur për identifikimi e shpejtë që iu bë nga mjekët kosovar kësaj sëmundjeje shumë të rrallë (një deri dy raste në njëqindmijë banorë).

Sot, kur po shkruaj me duart e mia, shfrytëzoj rastin të falënderoj ekipin e mjekëve dhe infermierëve të Spitalit Amerikan në Prishtinë, që në ditët e para të sëmundjes u përkujdesën për mua, të falënderoj prof.dr. Halill Krasniqin, për kujdesin e vazhdueshëm sa isha i shtruar në Qendrën e Rehabilitimit “Quellenhof”, në Bad Vil Baden të Gjermanisë dhe veçmas prof dr. Afrim Gashin dhe ekipin e shkëlqyeshëm të fizioterapeutëve në Prishtinë, Nadira Boshnjaku dhe Amir Tyrbetari dhe nipi im Feti Gashi.

Gjatë gjithë kësaj kohe, edhe pse një periudhë isha krejtësisht i palëvizshëm nga duart dhe këmbët, kisha kurajo të sfidohem me këtë sëmundje; kisha besim në zotin, në veten time dhe në mjekët se do të rikuperohem. Gjatë gjithë kësaj kohe nuk kam pushuar së punuari dhe lexuari. Rikthimi po vjen ngadalë, me rendin e vet.

Për mua familja ka qenë gjithherë e shenjtë. Bashkëshortja Qevseri, djemtë Arbeni e Besniku, vajza Aferdita, vëllau Mustafa dhe vajza e tij Blerina, nuk më kanë lënë asnjë minutë vetëm, qoftë në Spitalin Amerikan, pastaj tre muaj në Gjermani dhe tani në Prishtinë. Pa përkrahjen e tyre vështirë se do të përballoja. Afër familjes, gjatë qëndrimit në Gjermani kanë qëndruar dhe ndihmuar Valon Ademi, Remzi Ejupi, Vlora Dumoshin, Valon Dumoshi e Naser Gashi.

Falënderoj miqtë, bashkëpunëtorët nga LDK, nga ASHAK, Fakulteti Ekonomik, përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, të Republikës së Shqipërisë dhe liderët politik shqiptar nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Lugina e Preshevës të cilët më dhanë kurajë gjatë kësaj periudhe. Veçmas falënderoj fqinjët, qytetarët dhe bashkatdhetarët për interesimin e tyre! (sic) /Telegrafi/

Exit mobile version