Site icon Telegrafi

Mustafa: Reformat e Qeverisë po krijojnë kushte për zhvillim ekonomik

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Bankës Evropiane të Investimeve, Romualdo Massa Bernucci.

Gjatë takimit, u bisedua për mbështetjen e Bankës Evropiane të Investimeve në projekte konkrete që lidhen me zhvillimin ekonomik në Kosovë, siç janë projektet në infrastrukturën hekurudhore, në efiqencën e energjisë, mbështetja e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, si dhe përkrahja e sektorit privat përmes bankave komerciale në Kosovë.

Kryeministri Isa Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë dhe për hapat e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës në zhvillimin ekonomik, me theks të posaçëm për reformat fiskale dhe stabilitetin financiar që është arritur.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, prezantoi orientimet e mëtejshme të Qeverisë dhe mundësitë e zhvillimit në të gjithë sektorët e ekonomisë.

“Qeveria e Kosovës, gjatë kësaj periudhe, është përcaktuar që prioritet kryesor t’i jap zhvillimit ekonomik. Kemi bërë reforma të shumta sidomos të fushës fiskale, kemi miratuar në Qeveri Projektligjin për Investime Strategjike, i cili do të mundësojë investime të mëdha në Kosovë, kemi miratuar Ligjin për Garantimin e Kredive dhe një varg hapash të tjerë të cilët do të rezultojnë me krijimin e kushteve të favorshme për zhvillim ekonomik dhe hapje të vendeve të reja të punës”, tha kryeministri Isa Mustafa, duke përmendur edhe rëndësinë e marrëveshjes me FMN-në.

Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Bankës Evropiane të Investimeve, Romualdo Massa Bernucci, vlerësoi të arriturat e deritashme në Kosovë.

Bernucci, gjatë takimit, shprehu përkrahjen e mëtutjeshme të Bankës Evropiane të Investimeve për projekte konkrete në Kosovë. /Telegrafi/

Exit mobile version