Telegrafi

Mustafa: Reforma në administratë të përfundojë deri në maj

Procesi i reformimit të administratës publike në vend duhet të përfundojë deri në fund të muajit maj. Ky proces i filluar vite më parë, sipas kryeministri Isa Mustafa, domosdoshmërish duhet të kryhet në të gjitha dimensionet e tij para fillimit të qershorit , fazë kjo në të cilën pastaj do të koordinohen veprimet që duhet të kryhen me Bashkimin Evropian.

Këto paralajmërime kryeministri Mustafa i ka bërë në takimin e sotëm të Këshillit Ndërministror për Reformën e Administratës Publike.

Sipas Mustafës, nuk është e nevojshme të flitet për rëndësinë e reformës në administratën publike, pasi që për këtë Qeveria, është e njoftuar.

“Dua të them se ne domosdoshmërish duhet ta bëjmë këtë proces, duhet ta përfundojmë procesin në të gjitha dimensione e tij, unë kam parë punët që janë bërë në zyrën e kryeministrit ato të cilat kanë mbetur për t’u bërë. Dëshiroj të kem informata edhe prej ministrive të tjera për të parë se ku janë me detyrimet e tyre dhe me përmbushjen e obligimeve të tyre dhe të bëjmë një agjendë të cilën ne dëshirojmë ta përmbyllim deri në fund të muajit maj dhe jo më tutje, sepse periudha tjetër mbetet periudhë e bashkërendimit dhe korrigjimeve të nevojshëm të cilat duhet t’i bëjmë me Bashkimin Evropian“, theksoi Mustafa.

I pari i Qeverisë ka theksuar edhe rëndësinë që ka për vendin pasja e një administrate profesionale, e depolitizuar dhe efikase, për çka u zotua se së bashku me kabinetin e tij qeveritar do të bëjë krejt çka duhet për të arritur këtë.

Mustafa përmendi edhe sistemin e pagave për të cilat tha se duhet të jenë të barasvlershme me punën që bëhet, dhe që në këtë kuadër të ketë edhe vlerësim të punës që bën çdo njeri i përfshirë në administratën publike.

“Është me rëndësi që të krijojmë kushte të kemi një administratë profesionale, një administratë të depolitizuar, një administratë e cila është funksionale, të mos kemi dyzime apo trefishime të punëve ndërmjet ministrive, apo ndërmjet sektorëve të ndryshëm të cilët i mbulojmë. Të kemi sistem të pagave i cili është në baraspeshë me punën që bëjmë, që çdonjëri e bën në administratë publike, dhe mendoj që atë po arrijmë ta bëjmë tani”, tha Mustafa.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhillar tha se reforma është një prej çështjeve kryesore dhe kërkesë nga Bashkimi Evropian në procesin e marrëveshjes së stabilizim asociimit.

Ndryshe reforma në administratën publike ka filluar qysh pas pavarësimit të vendit, dhe vazhdon të ketë ngecje në realizimin e këtij procesi. /Telegrafi/