Site icon Telegrafi

Mustafa reagon pasi iu përmend emri në aktakuzë: Kemi fituar kundër mijëra tankeve, do të fitojmë edhe kundër atyre që njollosin UÇK-në

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa(Remi) ka reaguar pasi emri i tij është përmendur në aktakuzuzën e Prokurorit të Specializuar, si pjesë e atij që po pretendohet të jetë “grup kriminal”.

Përmes një postimi në Facebook, Mustafa ka thënë se ashtu siç kanë fituar kundër mijëra tankeve, ashtu do të fitojnë edhe ndaj atyre që po i sulmojnë  e njollosin luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“E drejta është me ne! Me bashkëluftëtarët e mi njihemi gjatë kohë. Bashkë kemi kaluar ditët më të rënda për popullin tonë e për ne, por edhe ditët për të cilat krenohemi më së shumti. Prej atëherë çdo ditë jemi afruar më shumë, i kemi besuar njëri tjetrit më shumë, jemi forcuar më shumë. Dhe, ajo që e di me siguri është se çdo ditë ka qenë më mirë. Kemi fituar kundër mijëra tankeve e do të fitojmë edhe kundër ngrehinave të të gjithë atyre që nuk u ndalën së sulmuari e njëllosur të gjithëve bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, shkruan Mustafa.

Me publikimin e aktakuzës ndaj katër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjykata Speciale ka publikuar edhe emrat e disa zyrtarëve të tjerë të cilët po i konsideron “pjesë të këtij grupi kriminal”.

Aty bëjnë pjesë: Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.

Sipas Speciales, disa prej tyre nuk ishin anëtarë të “ndërmarrjes kriminale, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes për të kryer krime”. /Telegrafi/

Exit mobile version