Telegrafi

Mustafa: Qytetarët e Kosovës do të jenë shembull i respektimit të rregullave për lëvizje të lirë

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa në një konferencë të përbashkët me përfaqësueses e Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Federica Mogherini dhe komisioneri për Migracion, Punë të Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos tha se populli i Kosovës është i përkushtuar për vlerat evropiane, ndërkaq vendimi i djeshëm i KE-së është një arritur e madhe dhe e nxjerr Kosovën nga izolimi.

Ai i shprehu mirënjohje përfaqësueses së BE-së, Federica Mogherini dhe komisionerit Avramopoulos, ndërsa tha se kanë biseduar për shumë çështje të interesit të përbashkët, për procent tjera integruese. për luftimin e korrupsionit, ekstremizmit dhe dialogut me Serbinë.

“Demokracia dhe siguria janë vlera që duhet t’i kultivojmë bashkërisht. Populli i Kosovës është i përkushtuar për vlerat evropiane”, tha ai, duke shtuar se vendimi i djeshëm i Komisionit Evropian është një arritur e madhe, e bazuar në përmbushjen e kritereve nga Kosova.

“Ky vendim historik e nxjerr Kosovën nga izolimi dhe krijon ambient më pozitiv për perspektivin e Kosovës”, tha kryeministri.

Ai tha se liberalizimi i vizave kërkon edhe respektimin nga ana e qytetarëve të modaliteteve për lëvizjen e lirë.

“Do të bëjmë çmos që Kosova të jetë shembull i zbatimit të të gjitha kushteve për lëvizje të lirë”, u shpreh kryeministri.

Kreu i ekzekutivit të vendit po ashtu tha se Kosova është e përkushtuar në dialogun me Serbinë, pasi sipas tij, institucionet e Kosovës vlerësojnë se dialogu është një vlerë e çmuar.

Ai në konferencën për media të mbajtur së bashku me përfaqësuesen Mogherini dhe komisonerit Avramopoulos kërkoi që Serbia të heq dorë nga pengesat që po ia bën Kosovës për anëtarësim  në organizatat e ndryshme, e që është në kundërshtim me frymën e dialogut. /Telegrafi/