Telegrafi

Mustafa: Qeveria do të vazhdojë reformat dhe përkrahjen e fuqishme për prodhuesit në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot ka bërë një vizitë në Fabrikën e Barnave “Trepharm”.

Sipas një njoftimi të Kryeministrisë, gjatë vizitës, kryeministri Mustafa, i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit qeveritar, u njoftua nga drejtuesit e kompanisë për sukseset dhe punën tyre, si dhe me sfidat me të cilat përballet kjo kompani, që përveç Kosovës, produktet e saj i eksporton edhe jashtë vendit.

“Ishte befasi e këndshme që pash sot Evropën në Kosovë, Evropën në një fabrikë e cila është më shumë sesa evropiane, me një teknologji tepër të avancuar, me një organizim dhe me një siguri të përkryer. E kemi merituar sot të bëjmë Marrëveshjen e parë kontraktuale me Bashkimin Evropian sepse kemi firma, të cilat i përgjigjen kritereve të Bashkimit Evropian dhe kritereve të Industrisë Botërore të Farmacisë. Është fjala për “Trepharm” që ka arritur suksese të shkëlqyeshme, ka bërë një investim mbi 20 milionë euro me një teknologji tepër të avancuar dhe të përkryer, me treg edhe në Kosovë”, citohet të ketë thënë Mustafa.

Po sipas njoftimit, më tej, kryeministri ka përgëzuar drejtuesit e kompanisë “Trepharm” të cilët kanë arritur që prodhimet e tyre t’i eksportojnë jashtë vendit.

“Shpreh mirënjohje edhe për Shqipërinë, sepse edhe me Shqipërinë është arritur marrëveshja që të hapet tërësisht tregu, por edhe me perspektivë që të eksportojnë edhe në vendet tjera, në kontinente tjera dhe në një të ardhme edhe me vendet e Bashkimit Evropian”.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu ka shprehur interesimin e Qeverisë për të bashkëpunuar në pikëpamje të rregullimit të kushteve ekonomike, fiskale dhe kushteve tjera zhvillimore për të krijuar një hapësirë të mirë të funksionimit të këtyre firmave.

E përfaqësuesi i Kompanisë Farmaceutike “Trepharm”, Bedri Prishtina, e ka falënderuar kryeministrin Mustafa “për reformat e Qeverisë në përkrahje të investimeve dhe prodhuesve vendorë”.

“Ne i kemi shfrytëzuar këto reforma, jemi liruar nga Dogana dhe TVSH-ja për investime, e cila është një ndihmë e madhe dhe na ka hapur rrugë për investime të jashtme dhe të brendshme. E falënderoj edhe njëherë Qeverinë”, u shpreh ai, duke folur për investimet e mëdha dhe gamën e gjerë të produkteve që prodhohen në këtë Fabrikë.

Gjithashtu edhe ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka premtuar përkrahje për këtë Fabrikë të rëndësishme farmaceutike të Kosovës. /Telegrafi/